Nga Klodiana LALA

Dyshimet se jeta e Ylvi Beqjas, mund të jetë në rrezik ka detyruar Zyrën për Mbrojtjen e Dëshmitarëve te Drejtësisë, të shtojë masat e sigurisë për biznesmenin dhe familjen e tij.

Lajmi konfirmohet nga burime të besuara të “BalkanWeb”, të cilat bënë me dije se prej të paktën dy javësh, biznesmeni i penduar në çështjen kundër Emiljano Shullazit, po ruhet nën masa të rrepta sigurie.

Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Shtetit, nuk preferoi të jepte komente për këtë çështje, por burimet pohuan për “BalkanWeb” se masat u ndërmorën pas dyshimeve se jeta e Ylvi Beqjas, mund të ishte në rrezik nga të pandehurit apo persona të tretë, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë për çështjen në fjalë.

Mësohet se në bazën ku Beqja mbahet në ruajtje, qëndrojnë forca të shumta speciale dhe policie, për të shmangur çdo kontakt të tij me persona që mund të përbëjnë rrezik potencial për të.

Ylvi Beqja, është dëshmitari kyç kundër Emiljano Shullazit dhe të pandehurve, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.

Pesë të pandehurit akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, Ylvi Beqja, Jani Zaka e Adriatik Kërçuku, shkatërrim të pronës me tritol, krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kërcënimin e profesor Mynyr Konit.

Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda nisi procesi ndaj Shullazit dhe miqve të tij, por ndonëse u zhvilluan dy seanca brenda ditës, prokuroria nuk mundi ta lexojë kërkesën për gjykim pasi u përball me kërkesat e shumta të avokatëve të të pandehurve. Seanca e radhës ndaj Shullazit, pritet të zhvillohet me datë 23 maj. Ndërkohë, ndryshe nga më herët, në seancat e së mërkurës, Emiljano Shullazi u paraqit personalisht në gjykatë bashkë me katër miqtë e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb