TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi sot zërat se Ilir Meta do të propozohet nesër presidenti i ri i Republikës. Nga ‘çadra e lirisë’, lideri i opozitës theksoi se ndonëse Rama e sulmoi gjatë këtyre viteve Metën, pasi donte ta fuste në burg, e shpalli sot kandidat për president.

“Njeriun që u përpoq ta fuste në burg, rivalin politik për të cilin ngriti në SHba dosjes konspiracioni, me gangster e vrasës, u detyrua ta shpall president të Rilindjes së korruptuar. Kjo është një ditë e dëshpëruar për Ramën.”, tha Basha.

Basha gjatë takimit me një grup të rinjsh, vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Basha tha se kreu i qeverisë i ka detyruar njerëzit të dalin sot me zorr në mitingun e zhvilluar në Kavajë, dhe u shpreh se ka fakte që e provojnë këtë, një video të cilën e postoi dhe ish-kryeministri Berisha në Facebook-un e tij.

“Sot Rama preku fundin politik të ekzistencës së tij, të mashtrimeve të tij dhe korrupsionit që mbolli në 4 vite në Kavajë e gjithë Shqipërinë,” tha Basha gjatë fjalës së tij.

“Sot, është dita ku leximi i dëshpërimit të Ramës dhe Republikës së Vjetër është i qartë për këdo me sy në ballë e mend në kokë. Sot është një ditë e dëshpëruar për Ramën që e provoi para çdo qytetari të Kavajës. Më shumë se Kavaja, nxinte vetë Edi Rama që sot preku fundin politik të ekzistencës së tij, të mashtrimeve të tij dhe korrupsionit që mbolli në 4 vite në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Provat, faktet dhe dëshmitë me celularë, të atyre që i detyruan me zorr të dilnin në shesh për të pritur kryeministrin e dështuar dhe të korruptuar, janë sot fakte të pamohueshme.  I fliste fare qartë dhe mjerimi i ulur këmbëkryq në Kavajë, papunësia në nivele ekstreme, rritja e kostos së jetesës dhe pasiguria totale që ka mbërthyer një qytet, që nën Rilindjen e Ramës u menaxhua nga banditët e Rilindjes, të personit të dënuar për përdhunim të një vajze të mitur në Itali. Ky është monumenti i turpit i Ramës i ngritur në Kavajë. Dëshpërimi i Ramës lexohet në çdo fjalë. Një nga njohësit më të shkëlqyer të rajonit të Ballkanit, Karl Bild, shënoi në llogarinë e tij në Twitter se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm politik,” u shpreh kreu i PD.

Nga ana tjetër Basha ironizoi takimin e sotëm të kryeministrit në Kavajë, duke shtuar se sot ishte funerali i Rilindjes. “Rama sot është njeriu që edhe për pak ditë ka peshën e papërballueshme, pasi ka dështuar. Ai mbush sheshet e zisë së Rilindjes, e funeraleve, që nuk i mbulon dot dhe as nuk i kthen dot në festë. Tupani i shpuar nga korrupsioni dhe krimi. Sot ky dështim është dhe më i thellë pasi për hir të pazarit politik që këta kanë bërë për 4 vite në kurriz të shqiptarëve, të cilët vidhen ditë për ditë nga kjo qeveri. Ky pazar politik ka si qëllim të pasuroj të mbrojë klikën e korruptuar, sot bëri atë që Rama me zemër u mundua ta shmang..”, pohoi ai.

Basha tha se republika e vjetër ka arritur në stacionin e fundit. “Pazari që mbante më këmbë aleancën e lindur nga pasurimi dhe inkriminimi i rilindjes dhe krimit të rilindur ka pjellë aktin e vet të fundit, ka nënshkruar falimentimin total para Shqipërisë, shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Në këtë akt dëshpërimi Edi Rama ka humbur çdo lloj arsyeje. Ka arritur në këtë pikë ku edhe një fëmijë 6-vjeçar e kap në gënjeshtër”, tha kreu i PD-së.

Basha ka përsëritur ftesën e opozitës për një kryeministër të qeverisë teknike të propozuar nga maxhoranca.

“Jemi tani 69 ditë që i kemi thënë t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike ku kryeministri do propozohet nga maxhoranca me miratimin e opozitës. Pas miratimit të qeverisë ne jemi gati të miratojmë vettingun dhe t’i japim Shqipërisë zgjedhje të vërteta dhe jo fasadë dhe jo vetting fasadë. Edi Rama i trembet vettingut të vërtetë dhe gjyqtarëve të pakorruptuar dhe të pavarur.

Me gjyqtarë e prokurorë të pavarur ngrehina kriminale e rilindjes do rrëzohet nga themelet, bandat në pushtet do çmontohen një e nga një. Trembet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.

Kreu i PD u shpreh se ‘Kupola e Republikës së vjetër siç tregon pazari që sapo kanë mbyllur për Presidentin që duhet të ishte i popullit por mbeti peng për herë të fundit, peng i republikës së vjetër’.

“Kjo kupolë ka vetëm një qëllim të pasurohet dhe mbrohet nga drejtësia e pavarur. Ky bashkim popullor i paprecedentë përbën një rrezik ekzistencial për kupolën e republikës së vjetër. Ata e dinë që tani maskat kanë rënë dhe populli e dallon që qeveria fasadë janë një teatër kukullash për të grabitur popullin dhe pasuritë e vendit.  Edi Rama ka bërë dhe po bën gjithçka për ta ndalur votën e lirë dhe të ndershme të shqiptarëve. Ai ka mobilizuar miliardat e korrupsionit, ai ka shkrirë shtetin me partinë. Ai ka thirrur bosin e drogës. Arma më e fuqishme media e korruptuar dhe e blerë. Ai ka dërguar zhaget e parave të drogës për të blerë mbështetjen e mercenarëve të huaj që para interesave të shqiptarëve kanë vendosur interesin e xhepit të tyre. Por ai nuk mund të blejë kurrë këtë bashkim të madh popullor që është ngritur më këmbë për të mos u dorëzuar kurrë pa fitore. Ai nuk mund të blejë dhe nuk do të blejë kurrë me lobingjet e pista vullnetin e pastër të partnerëve tanë europianë dhe amerikanë për ta parë Shqipërinë jo një hambar droge, jo një kopsht zoologjik të kriminelëve por një Shqipëri demokratike, eruolpiane, moderne dhe të pavarur nga tirania e krimit dhe korrupsionit. miqtë tanë kanë qenë në krah të kauzës së drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme prej orës së parë të bashkimit në këtë shesh me 18 shkurt dhe do të jenë me ne deri sa zgjedhjet e lira dhe demokracia e vërtetë të jetë e prekshme për çdo shqiptar. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre por unë jam i vetëdijshëm dhe e di që edhe ju jeni të vetëdijshëm se kjo rrugë kalon përmes sakrificës që keni bërë deri sot, kurajës për ta vazhduar. Nga Tirana dhe Kavaja na pret një bashkim i jashtëzakonshëm, i të rinjve dhe të rejave, të moshuarve, gegë dhe toskë e çdo shqiptari të ndershëm”, deklaroi Basha.

 (e.f/ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: