TIRANË- Kreu i vetëngrirë i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas publikimit të listës me 100 emra nga kryeministri Edi Rama, si personat e denoncuar nga qytetarët për abuzime. Basha e quan ‘lista e turpshme’ ndërsa thotë se për Ramën, drejtësia është ai vetë dhe për të nuk ka ligj.

Kreu i PD-së heq paralele me kohën e diktaturës, ndërsa shton se në lista mungon emri i Ramës dhe disa prej ministrave e ish-ministrave të tij.

STATUSI I BASHËS
Lista e turpshme e publikuar nga Edi Rama dëshmon atë që Partia Demokratike dhe unë kemi thënë katër vjet rresht: për Edi Ramën drejtësia është ai vetë, shteti është ai vetë. Për të nuk ka ligj, nuk ka të drejta njerëzore, nuk ka llogaridhënie.

Ai vendos se kush është fajtor e kush jo, kush duhet dënuar e kush jo. Ai nuk e ka problem të përlyejë, akuzojë dhe turpërojë publikisht si në kohën e Enver Hoxhës. Jo rastësisht në listën e tij nuk janë hajdutët dhe kriminelët e vërtetë shtetërorë: mungon ai vetë, mungojnë Ilir Beqaj, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë shtetërorë që kanë privatizuar qeverinë për vete, për kriminelët dhe për klientët e tyre.

Ai që dhunoi zgjedhjet, tani ka filluar të dhunojë të drejtat e njerëzve. Ndaj duhet bashkimi i çdokujt për një përballje popullore të fortë dhe të vërtetë për ta ndalur dhe për t’u kthyer pushtetin qytetarëve.

Basha fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: