TIRANË- Negociatori dhe aktori kryesor i marrëveshjes Rama-Basha David Mc Allister ka shprehur kënaqësinë për dakordësinë mes maxhorancës dhe opozitës.

Në një postim në Twitter, McAllister shkruan se përpjekjet e BE-së dhe SHBA-ve rezultuan të suksesshme duke dhënë mesazhin se zgjidhja arrihet kur ka dialog të drejtpërdrejt.

“Jam i kënaqur që përpjekjet ndërmjetësuese të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës rezultuan të suksesshme dhe i dhanë fund krizës politike në Shqipëri. Mesazhi kryesor është se zgjidhja e qëndrueshme arrihet kur qeveria e opozita bëjnë dialog të drejtëpërdrejtë me njëri-tjetrin”, shkruan McAllister, i cili erdhi në Tiranë bashkë me eurodeputetin tjetër Knut Fleckenstein me një paketë konkrete propozimesh për maxhorancën dhe opozitën për zgjidhjen e krizës dhe futjen në zgjedhje të të gjitha partive politike.

Kjo paketë fillimisht u refuzua nga palët por me ardhjen e zyrtarit të DASH Hoyt Brian Yee u rikthye në tryezën e diskutimeve me disa pika shtesë dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha dolën me një dakordësi të plotë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: