BRITANI– Kryeministrja britanike, Theresa May ka njoftuar sot mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në 8 qershor të këtij viti.

Gjatë një konference të posaçme për shtyp, kryeministrja May sqaroi se pas BREXIT, Britania ka nevojë për stabilitet dhe lidership të fortë.

“Kam arritur në përfundimin se mënyra e vetme për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për vitet e ardhshme është që të zhvillojmë zgjedhjet e parakohshme”- tha May.

Kryeministrja ka qenë në presion të vazhdueshëm pas kërkesave për referendum dhe rebelimit në rritje për planin e saj të shkollave. Duke folur në konferencën për shtyp May tha se: “Vendi është bashkë, por Westminster jo”.

Vendimi i May për zgjedhje të parakohshme vjen pak javë pasi ajo nisi procesin normal të Brexit duke habitur mjaft politikanë britanikë që sapo ishin kthyer nga pushimet e Pashkëve.

Më herët, May kishte thënë se zgjedhjet e ardhshme do të ishin sipas planit, pra në vitin 2020. Në referendumin e qershorit 2016, 52% e qytetarëve britanikë i thanë “Po” daljes së vendit nga Bashkimi Evropian, ndërsa pas kësaj kryeministri David Cameron dha dorëheqjen për t’u pasuar nga Theresa May.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: