TIRANE-Pas afro 45 minutash ka përfunduar takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Rama ishte i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi, ndërsa kryetari Basha i shoqëruar nga deputeti Oerd Bylykbashi.

“BalkanWeb” mëson se takimi vjen një ditë, para zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme parlamentare ditën e nesërme ku pritet të votohen ministrat teknikë të propozuar nga PD. “BalkanWeb” mëson se propozimet e PD janë miratuar me konsensus dhe pritet të votohen nesër.

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një kërkesë Kuvendit për zhvillimin e një sesioni të jashtëzakonshëm pas marrëveshjes së arritur mazhorancë-opozitë. Duke iu referuar kuadrit ligjor, Rama i drejtohet Kuvendit për të zhvilluar këtë seancë ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00.

Në kërkesën e kryeministrit përcaktohet edhe rendi i ditës i seancës plenare që do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb