TIRANE – Pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, Kryeministri i vendit Edi Rama tha se votat në Kuvend për ta miratuar nuk mungojnë, por se sipas tij mazhoranca ka ende durimin për të zgjedhur një kryetar shteti të paanshëm.

Rama tha se mazhoranca i ka lënë të gjitha hapësirat e nevojshme Partisë Demokratike, por se këta të fundit nuk kanë paraqitur një kandidat.

Kreu i qeverisë shpjegoi dhe karakteristikat që duhet të ketë figura e Presidentit të ri duke u shprehur se shumica kërkon që t’i kthejnë atij institucioni dinjitetin.

“Sikundër e kemi thënë edhe më parë, sot ishte një tjetër shprehje vullneti për t’i dhënë të gjithë hapësirën PD-së brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike. Ndaj dhe nuk paraqitëm një kandidat sepse duam të krijojmë mundësinë që të gjejmë me atë pjesë që na mungon në parlament një konsensus për një figurë presidenciale.

Unë jam i duruar se besoj te durimi ndaj përsa i përket Presidentin duam t’i kthejmë atij institucioni dinjitetin, figurë që të ngrihet mbi palët dhe të ketë paanshmëri dhe jo figurë të anshme si kjo që kemi. Ne do presim, më mirë një President i duhur e i pranuar nga sa më shumë sepse ne nuk e kemi kuptuar asnjëherë fuqinë tonë, si motiv për të qenë arrogantë, por për të qenë të duruar”, tha Rama.

I pyetur nëse është i gatshëm t’ia ofrojë Presidentin opozitës, Rama tha se nuk ka asnjë kufi të paravendosur por se Presidenti i ri duhet të jetë dinjitoz.

“Bota opozitare është një koncept që po zgjerohet. Opozita e parlamentit të ri do jetë më sfiduese, se sa kjo opozitë. Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk kemi asnjë kufi të paravendosur. Duam t’i japim Shqipërisë një president dinjitoz që të qëndrojë sa më mbi palët aq sa e bën Shqipëria të mundur, nuk po e presim të vijë nga materniteti. Ama të jetë një President që të ketë autoritetin që t’u bëjë një telefon të gjithëve për të zgjidhur një situatë”, – deklaroi kryeministri.

Nisur nga bojkoti i opozitës, Rama garantoi se ‘vendi nuk do të jetë asnjë ditë pa president’. “Presidentin e duam për vendin jo për veten se po ta donim për vete do ishit duke e intervistuar. Do mundohemi t’ia lehtësojmë rrugën PD-së për të dalë nga kjo krizë por të jeni të bindur se Shqipëria në të gjitha rastet nuk do mbetet as pa President, as pa parlament sepse ne i kemi numrat”, theksoi Rama.

(e.f/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: