TIRANË- Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për humbjen e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit dhe situatën brenda kësaj force, duke përfshirë sulmet ndaj kreut Basha.

Shkëlzen Berisha iu del në mbrojtje kritikëve dhe zërave kundër Bashës, duke thënë se sot PD nuk e ka luks të linçojë njeri.

Shkëlzen Berisha kërkon bashkim dhe jo ndarje dhe sulme ndaj njëri-tjetrit. Ai thotë se e vetmja mënyrë për të dale të bashkuar, është respektimi i mendimit ndryshe.

STATUSI I SHKËLZEN BERISHËS
Të dashur miq,
E kuptoj debatin që ka lindur mes nesh për shkak të rezultatit. Kam zgjedhur të mos bëhem pjesë në këtë debat, ndonëse si të gjithë ju kam mendimet e mia. Por nuk i kuptoj dhe nuk i justifikoj dot sulmet, etiketimet dhe fyerjet që i adresoni njeri-tjetrit. Perse është kaq e vështirë të shprehni mendimet tuaja pa ofenduar ata që nuk mendojnë si ju?

Përse e keni kaq të thjeshtë të zeroni kontributet e demokratëve vetëm pse nuk mendoni njëlloj. Mendoni se e keni vërtet luksin që me këtë rezultat të linçoni njeri-tjetrin? Keni plotësisht të drejtë të mbani qëndrimet dhe mendimet tuaja, por askush nuk ka të drejtë të shkelë, të mohojë, të ofendojë, të linçojë ata që mendojnë ndryshe nga ju! Kjo nuk është demokratike, kjo nuk është e ndershme, kjo nuk është rruga drejt bashkimit dhe fitores, por rruga drejt përçarjes dhe humbjes. Kemi ndarë së bashku për 4 vjet opinione dhe qëndrime opozitare!

I kemi dhënë me mijëra pëlqime dhe mbështetje virtuale statuseve opozitare të njeri-tjetrit. Jemi respektuar si pjesë e së njëjtës familje politike. Kjo nuk duhet të ndryshoje thjesht dhe vetëm pse sot keni mendime të ndryshme se si dilet nga kriza, sepse në përfundim të saj, e vetmja mënyrë për të dale të bashkuar, është respektimi i mendimit ndryshe. Askush nuk duhet dhe as nuk meriton të largohet nga shtëpia jonë e tronditur sepse mendon ndryshe.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: