TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë sot në tryezën e thirrur nga Ilir Meta, kjo për shkak të një aktiviteti të planifikuar në qytetin e Korçës, ku do takohet me të rinjtë që votojnë për herë të parë.

Burime nga Kuvendi pohojnë për “BalkanWeb” se kryeparlamentari Ilir Meta ka thirrur sot të gjitha partitë parlamentare në një takim në orën 19:00 për të diskutuar për zgjidhjen e krizës politike, por Rama e ka të pamundur të shkojë pasi rreth orës 18:30 ai do flasë në Korçë para të rinjve.

Sipas burimeve në këtë takim pritet të diskutohet edhe për rekomandimet për Reformën Zgjedhore nga OSBE/ODIHR.

Ndërkohë që mësohet se ftesa e Metës për të qënë pjesë e tryezës ndërpartiake nuk parashikon medoemos praninë e kryetarëve të partive. Nuk dihet gjithashtu nëse pjesë e tryezës do bëhet edhe lideri i PD-së Lulzim Basha, i cili aktualisht po zhvillon një takim me aleatët e tij për të marrë vendimin nëse do t’i përgjigjet apo jo pozitivisht ftesës së kreut të Kuvendit.

Lëvizja e Metës për të thirrur një tryezë ndërpartiake, vjen një ditë pasi dy negociatorët e BE-së, Knut Fleckenstein dhe David McAllister dështuan në Tiranë për gjetjen e një konsensusi me palëve. Kjo lëvizje e Metës, vjen fill pas takimit që ai pati sot me trojkën e ambasadorëve të akredituar në Tiranë si edhe pas bashkëbisedimit, që po sot zhvilloi me kryeministrin, Edi Rama.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: