DURRËS- Dy persona kanë mbetur të vrarë sot në një atentat me armë zjarri në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit. “BalkanWeb” mëson se një prej viktimave është ish-shefi i Krimeve të Tiranës, Ervin Dalipaj, i akuzuar për pengmarrjen dhe vrasjen e Gazmend Çollakut. Ndërkohë viktimë ka mbetur dhe pasagjeri që udhëtonte me Dalipajn, shtetasi Juxhin Dauti.

KUSH ISHTE ERVIN DALIPAJ DHE PSE U PEZULLUA NGA DETYRA
Ervin Dalipaj ka mbajtur postin e Shefit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë deri në tetor të vitit 2013, kur u pezullua nga detyra me urdhër të ish-ministrit Tahiri, pasi nuk kryeu detyrën gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” për bllokimin e lojërave të fatit.

Ky i fundit akuzohet se ka bashkëpunuar me pronarët për t’i fshehur policisë makineritë e lojërave të fatit. Dalipaj dhe shefi i krimit të Korçës ishin dy prej 12 shefave të qarqeve që dekonspiruan këtë aksion. Ai gjithashtu akuzohet si i përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 25.04.2017, rreth orës 13: 55, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi I Sukthit” janë vrarë me armë zjarri, shtetasit E.D. dhe J.D.

Viktimat kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip Audi. Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb