ELBASAN- Dy makina janë përfshirë nga flakët brenda tunelit të Krrabës në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Makinat janë përfshirë nga flakët mesditën e sotme në harkun kohor brenda një ore, teksa ishin duke ecur. Mësohet se një nga mjetet e përfshira nga flakët është tip Fiat Punto dhe ka marrë flakë në mesin e tunelit të Kërrabës, ndërsa ishte nisur nga Tirana drejt Elbasanit.

Ndërkohë pak më herët një tjetër autoveturë rreth 500 metra larg tunelit është përfshirë nga flakët. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi duke shuar flakët .Ndërkaq nuk raportohet për të dëmtuar, ndërsa trafiku në këtë segment u paralizua përkohësisht. Mësohet se një nga mjetet u shkrumbua plotësisht dhe tjetra plotësisht. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

Gjithashtu si pasojë e temperaturave të larta gjatë ditës së sotme në qarkun e Elbasanit janë evidentuar tri vatra të fuqishme zjarri në zona të ndryshme të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha në ullishta dhe masive me shkurre përkatësisht në fshatin Dragot të bashkisë së Belshit dhe Hajdaran në Njësinë Administrative Shushicë e Elbasanit.



(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb