GJIROKASTER-Një person i arrestuar pak kohë më parë nga policia e Sarandës është arratisur nga Gjykata e Apelit në Gjirokastër, pak minuta para se të niste seanca gjyqësore.

Gazetarja Brikena Metaj raporton per “BalkanWeb” se Saimir Ahmeti 24 vjeç i akuzuar për “përndjekje” kërkoi të dalë nga salla e gjyqit me pretekstin se do shkonte në tualet për nevoja personale, por është arratisur.

Ngjarja ka ndodhur në mënyrë të menjëhershme dhe forca të shumta policie vijojnë kërkimet për kapjen e të riut. Personit të arratisur i është komunikuar masa ‘arrest me burg’, masë të cilën e kishte apeluar. Forca të shumta policie kanë ngritur postblloqe të shumta për kapjen e 24-vjecarit.

Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:50 i ndaluari Saimir Ahmeti, 24 vjeç, banues në fshatin Vanë, Delvinë, ka mundur të largohet nga ambientet e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ku ishte i shoqëruar nga shërbimet e Policisë së Burgut Sarandë. Shërbimet e Policisë së Burgjeve nuk kishin kërkuar masa mbështetëse nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër për siguri shtesë, gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore. Shërbimet e Policisë së Shtetit në Gjirokastër sa morën njoftim janë angazhuar maksimalisht për kapjen e shtetasit Ahmeti.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: