DURRES– Pronari i një marketi ka mbetur i vrarë mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1, rreth orës 19:55 në qytetin bregdetar. “BalkanWeb” ka mësuar emrin e viktimës, ndërsa bëhet fjalë për Agim Arapin, 58 vjeç. Pavarësisht se i plagosuri u transportua me urgjencë për në spitalin Rajonal të Durrësit, ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se gjithçka ka nisur pas një sherri banal, mes tre personave, të cilët kanë goditur me sende të forta pronarin, që sapo e kishte marrë me qira ambientin e dyqanit. Po ashtu, motiv i krimit dyshohet se ka qenë çështja e qirasë së biznesit. “BalkanWeb” raporton se për këtë ngjarje të rëndë janë arrestuar 3 persona, të cilët thuhet se banojnë në të njëjtin pallat ku ishte dhe marketi.

Ndonëse autorët e dyshuar, dy vëllezër Kostandin dhe Kujtim Ekonomi, si dhe Jurgen Kurti (dhëndri i Kostandinit) tentuan të largoheshin, nuk mundën t’i shpëtonin dot postblloqeve të policisë.

Sakaq, forca të shumta policore mbërritën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 11.04.2017, ora 19:55 në lagjen Nr.1 Durrës, Bulevardi “Epidam”, në një dyqan ushqimor, si pasojë e një konflikti pronësie është plagosur shtetasi Agim Arapi 58 vjeç, banues në Durrës. Për pasojë, i dëmtuari ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.

Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët pak minuta pas ngjarjes kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit Kostandin Ekonomi, Kujtim Ekonomi dhe Jurgen Kurti. Kostandin dhe Kujtim Ekonomi janë vëllezër, ndërsa shtetasi Jurgen Kurti (është dhëndri i Kostandin Ekonomi). Palët në konflikt janë goditur me njëri- tjetrin me sende të forta. Vijon puna për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: