NGA ORNELA MANJANI

Procesi i legalizimit po ecën me ritme shumë të kënaqshme. Numri real i ndërtimeve pa leje të futura në proces legalizimi, në periudhën 2006-2015, është 320.000 objekte. Gjatë periudhës së përfshirë në raportim është kryer evidentimi faktik në terren për 186.223 ndërtime pa leje. Kjo procedurë përfshin përditësimin në terren të gjendjes ndërtimore dhe plotësimin e hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor (procesverbal, genplan, planimetri, hartë e përditësuar e zonës kadastrale etj.).

ALUIZNI ka miratuar legalizimin e 15.294 ndërtimeve në vitin 2014, për vitin 2015 të 21.748 ndërtimeve informale dhe vetëm gjatë 9 muajve të 2016-ës janë lëshuar 29.529 leje legalizimi. Të dhënat janë bërë të ditura nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku ka theksuar edhe procedurat që do të ndiqen për ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe ato që preken nga projektet infrastrukturore.

“Dy janë problemet e së ardhmes: urbanizimi i zonave informale dhe ndërtimet që mbeten pa legalizuar, sepse ligji parashikon disa ndalime. Stoku ka të bëjë me zonat që përmbyten, ato të mbrojtura ose aty ku do të kalojë një projekt. Këto ndërtime nuk prishen, por as nuk legalizohen. Deri në momentin e zbatimeve të projektit, banorët do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe në momentin e fundit do t’u thuhet ‘më vjen keq, por është infrastruktura prioritare’.

Janë dhjetëra mijë ndërtime në këtë kategori. Për ndërtimet që janë në këtë kategori në Tiranë ka një projekt, për t’u dhënë shtëpi, banesa sociale, ose për t’u dhënë truall. Këto janë ndërtime në bulevardin e ri në Lumin e Tiranës. Bashkia po bën një projekt për të dhënë më shumë se dy vjet qira. Këto probleme duhen trajtuar në plan afatgjatë”, – tha Lame.

Pronarët
ALUIZNI ka miratuar kalimin e së drejtës së pronësisë për 8.606 parcela ndërtimore të zëna nga ndërtimet pa leje dhe shpërblimin financiar për 2.980 subjekte, pronarë të pasurive të paluajtshme, të prekura nga ndërtimet pa leje. Gjatë kësaj periudhe ALUIZNI ka arkëtuar rreth 2.4 miliardë lekë, nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore. Nga kjo vlerë janë transferuar në fondin financiar të kompensimit të pronarëve afro 1.7 miliardë lekë.

Prioritetet
Një nga prioritetet e ALUIZNI-t është identifikimi i zonave informale, formalizimi dhe integrimi i tyre në realitetin urban.

“Përcaktimi dhe miratimi i kufirit të zonave ndihmon për një qasje objektive të fenomenit të informalitetit në raport me premisat dhe dinamikat e zhvillimit urban. Në këtë mënyrë ato jo vetëm kthehen në faktor gjatë procesit të hartimit të dokumenteve të planifikimit të territorit, por edhe u vijnë në ndihmë njësive të qeverisjes vendore të saktësojnë prioritetet në lidhje me projektet e urbanizimit. Janë identifikuar dhe miratuar në Këshillin e Rregullimit të Territorit gjatë kësaj periudhe 277 zona informale, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 205 hektarësh, të shpërndara në gjithë territorin e Shqipërisë. Nga një vrojtim i tyre, vlerësohet se numri i ndërtimeve pa leje në këto zona është rreth 218.000, me një numër të përafërt prej 300.000 familjesh”, – tha Lame dje në komision.

DEBATE NE KOMISION
Eduard Shalsi: Gjatë procesit të legalizimit, çfarë ndodh me grupet në nevojë, personat me aftësi/ të kufizuar dhe komunitetet rome dhe egjiptiane?
Artan Lame: Vetë Shqipëria është komunitet në nevojë, përveç biznesit të madh. Mes këtij komuniteti ne kemi përzgjedhur komunitetet më në nevojë. Kemi përzgjedhur personat me aftësi të kufizuar: kur kanë ndërtuar në tokë me pronarë, e marrin truallin falas. Kur në një familje që ka ndërtuar në pronë të tjetrit ka një person me aftësi të kufizuar, e paguan tokën 50%. Me komunitetet rome dhe egjiptiane kemi pasur takime për të gjetur mënyrën për t’i listuar ata që kanë ndërtime pa leje të legalizueshme, për t’i përshpejtuar. Nuk e vendosim ne grupin, por mund të bëjmë propozimin, pastaj bëhet VKM-ja për përfitimet.

Eduard Shalsi: Legalizimi i pallateve pa hipotekë, është folur shumë, ka dhe ankesa. Çfarë po ndodh me këto pallate?
Artan Lame: Jemi duke i trajtuar. Kanë vetëm një problem; kompleksiteti i çdo pallati është shumë i madh, sepse është një objekt i ndërtuar pa leje ose me shkelje të lejes. Janë një koshere, dhe kjo na ka çuar në përfundimin se çdo pallat do të merret më vete, sepse nuk mund të përdoret një skemë për të gjithë. Kur flasim për pallatet pa leje, doja të mos shohim pronarin; ai është një, atje janë 100 familje që kanë marrë shtëpi dhe nuk gjejnë zgjidhje.
Eduard Shalsi: Objektet e kultit disa herë janë deklaruar edhe jashtë kontrollit të komunitetit përkatës, i janë nënshtruar edhe legalizimit. Kemi statistika?
Artan Lame: Neve në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të biem dakord që asnjë objekt të mos legalizohet pa marrë një OK nga Komuniteti Mysliman. Nuk mund të vijë një imam të thotë ‘më legalizoni xhaminë time’. Objektet e gjithë komuniteteve janë mbi 1.000. Masa më e madhe e tyre janë të kultit mysliman; jo se ndërtojnë më shumë pa leje, por se janë më shumë. Nuk kanë probleme të rënda, sepse kanë ndërtuar në ish-pronat e tyre.

Eduard Shalsi: Denoncim për legalizim ndërtimesh në zonën e Bllokut; doja një shpjegim çfarë ndodh…
Artan Lame: Jam në dijeni. E kontrolluam menjëherë. Asnjë nga katër objektet nuk është në proces dhe nuk bëhet fjalë për t’u legalizuar. Meqë jemi në zonë sensitive, nuk mund të legalizohen, sepse janë ndërtime që po bëhen tani, pasi ligji i pengon ato që kanë ndërtuar pas qershorit të 2014-ës.

Eduard Shalsi: Janë dhënë 88 mijë leje legalizimi. Sa janë regjistrimet në Hipotekë? Ka pasur një ngërç për këtë proces? Në ç’raport janë bizneset me shtëpitë?
Artan Lame: Regjistrimi vijon masivisht. Ka një barrë të jashtëzakonshme në Hipotekë. Regjistrimi i lejeve vazhdon normalisht. Më e rëndësishme për qytetarët është fakti që ata nuk do të shkojnë më në Hipotekë, por aplikon ALUIZNI për t’i nxjerrë tapinë e shtëpisë. Raporti biznese-shpi është 15% biznese me 85% banesa.

Mimoza Hajdarmataj: Jeni akuzuar herë pas here nga opozita që po tenderoni miliona për punë të kryera. A do të kenë fund tenderat që ju hapni, përderisa e keni situatën nën kontroll dhe keni degë në rrethe?

Artan Lame: Tenderi nuk është mëkat në vetvete. Tendera janë bërë dhe do të bëhen. Në masë shumë të vogël, sepse po vjen momenti i ngopjes së sistemit. Po bëhen vetëm ato që kanë mbetur. Për periudhën janar-shtator ka më pak matje në terren, sepse një pjesë është bërë nga subjektet private. Sa më shpejt të mbarojë procesi i legalizimevem aq më shpejt mbyllet një kapitull në këtë vendm aq më mirë është. E gjitha bëhet për të mbyllur sa më parë procesin dhe ta bëjmë balancimin me cilësinë. Tendarat nuk i bën drejtoria qendrorem lejet nuk i jep drejtoria qendrore; çdo drejtori rajonale është e pavarur. Për këtë çështje janë dhënë stërshpjegime dhe nuk mendoja se do të më thoshit këtë gjë. Nuk janë të vlefshme matjet e 2008-ës, sepse ato kanë ndryshuar, janë bërë shtesa dhomash e katesh. Nuk konsiderohen matjet në terren të vitit 2013-2014.

Besnik Bare: A ka tagër ALUIZNI për të parandaluar ndërtime si ato në Valbonë, që janë në zona të ndjeshme dhe të mbrojtura?
Artan Lame: ALUIZNI është prapavijë. Ndërhyn pasi ndërtimi është bërë në terren. Ritheksoj se asnjë ndërtim i bërë pas 26 qershorit 2014 nuk hyn në proces legalizimi. Sa më shpejt ta mbyllim këtë proces, aq më shpejt mbyllim kujtesën për legalizimet.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: