TIRANE- Mediat raportuan sot për një shkarkim të mundshëm të Mentor Kikisë nga detyra e kryeredaktorit të edicionit të lajmeve të orës 15:00, në Top Channel, por në një prononcim për BalkanWeb, gazetari pohon se ndaj tij nuk ka një shkarkim zyrtar, por vetëm një komunikim verbal nga drejtori i informacionit në TCH, Sokol Balla.

“Kam pasur vetëm një komunikim verbal që nuk do të merrem më me edicionin e lajmeve të orës 15:00. Nuk kam komunikim zyrtar për ndërpreje të marrëdhënies së punës. Komunikimi më është bërë nga drejtori i informacion Sokol Balla”,- thotë Kikia për BalkanWeb.

Ndonëse mediat shkrujnë që shkak për shkarkimin e tij mund të jetë bërë përplasja e fundit me mjeken Anika Dokle, të cilën e akuzoi publikisht për korrupsion, Kikia sqaron për Balkanweb, se në komunikimin me eprorin e tij një gjë e tillë nuk është përmendur fare. “Debati im me mjeken nuk është përmendur fare nga askush”,- tha ai.

Mentor Kikia mban postin e kryeredaktorit të lajmeve në Top Channel që prej Majit 2001 kur dhe daton themilimi i kësaj kompane mediatike. Kohët e fundit gazetari i mirënjohur Kikia ka mbajtur qëndrime kritike të vazhdueshme për çështje të ndryshme politike dhe sociale. Shpesh këto qendrime nuk kanë qënë në të njejtën linjë me vijën editoriale në Top Channel.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb