Liridon Latifi me shumë mundësi në verë do t’i thotë mirupafshim Skënderbeut pasi për talentin me origjinë nga kosova kanë rënë këmbanat nga Seria A.
Konkretisht pak ditë më parë u aludua për një kalim tek Lacio me ndërmjetës drejtorin sportiv Igli Taren i cili po e vëzhgon lojtarin prej kohësh.

Ndaj mediat përtej Adriatikut kanë filluar që të kërkojnë që tani informacione më të hollësishme për mesfushorin i cili bëri debutimin e tij me kuqezinjtë pak ditë më parë. “Radiosei” në Itali ka marrë opinionin e Andrea Agostinelit, i cili e njeh shumë mirë mesfushorin e talentuar pasi e ka drejtuar te Skënderbeu.

Tekniku Italian ka treguar eksperiencën e tij me Latifin dhe besimin që kishte se i kishte dhënë një mësim të mirë atij gjatë periudhës në Korçë.

“Lacio mund të interesohet për të, pasi kërkon gjithmonë lojtarë krahu të rinj. Latifin e njoh mirë, ashtu si Tare. E ula në stol në ndeshjen e dytë të kampionatit pasi i nevojitej. Është një talent i madh që bashkon shpejtësinë me teknikën, një kosovar që luan në Kombëtaren shqiptare. Sigurisht që kishte nevojë të kuptonte që duhet dhënë maksimumi në çdo ndeshje.
Agostineli-me-xhins-470x313
Të gjithë mbetën të çuditur, por pastaj bëri një kampionat të madh dhe më dhanë të drejtë. Ai përjashtim ishte i vlefshëm, djem të tillë duhen menaxhuar mirë. Edhe pse nuk fliste italisht, në fund edhe arrinte të dialogonte me mua dhe më ka falënderuar gjithmonë për atë që kam bërë”, shpjegoi Agostineli.

Duket se ky i fundit ka besim te Latifi sa u përket aftësive të tij, por ndoshta ka pak dyshime sa i përket përshtatjes që ai mund të ketë me Serinë A.

“Po flasim për një talent të aftë i cili mund të luajë në Serinë A falë moshës dhe potencialit që ka. Në fillim nuk do të ishte titullar por ka bërë që tani dy vite si protagonist dhe ka luajtur edhe në paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve. Por është një djalosh shqiptar, duhet parë si mund të ambientohet në Itali”, vijoi trajneri.
Latifi-Skenderbeu-470x470
“Luan në krahë, preferon të zhvendoset në të majtën ku mund të të vërë në vështirësi me këmbën e djathtë, por mund të bëhet pasues edhe në krahun tjetër të fushës. Me shpejtësinë që ka mund të bëjë shkëputje prej 30 metrash me topin në kënbë. Në organikën aktuale do të ishte alternativë e parë për Keita dhe Felipe Anderson. Edhe pse ka më pak eksperiencë, unë e preferoj atë para Luis Albertos”, ishin fjalët e Andrea Agostinelit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb