Liridon Latifi kishte një jetë që e priste atë gol në Zagreb. Skënderbeut i duhej dhe e shënoi pikërisht lojtari më i talentuar i korçarëve. “E prisja prej vitesh një gol në të tilla nivele. Tani kam edhe një ndeshje të fundit dhe do të largohem nga Skënderbeu. Do jap gjithçka që të kualifikohemi. Por kujdes, Dinamo do të jetë më e rrezikshme në kthim”, thotë mesfushori për “Panorama Sport”.

Liridon, çfarë menduat te goli?

Nuk mendova shumë, thjesht po shikoja hapësirat se si mund të gjuaja. Për fat, topi shkoi në rrjetë.

Nuk shënuat në tentativën e parë, madje një sulmues më pak egoist se ju do të kishte pasuar… A rrezikuat shumë?

Po, ndoshta rrezikova, por vështrojeni me vëmendje pozicionin tim në atë moment! Isha gjithë kohën me fytyrë nga Gavazaj duke pritur pasimin e tij. Nuk e kisha parë farë Souenë që ishte i lirë.

Po nëse do ta kishit parë, a do t’i kishit pasuar?

Ndoshta. Nuk e di… Nuk mund të analizoj një situatë shpejtësie mendimi dhe veprimi.

A ju tremb Dinamo e Zagrebit?

Në ndeshjen e parë u duk qartë se nuk ishte aq e frikshme. Ne luajtëm shumë mirë. Në pjesën e parë, realisht, skuadra më pëlqeu pa masë. Në të dytën pritej që Dinamo do të ishte më agresive, por ne nuk shfrytëzuam mirë disa raste. Por e sigurt është se nuk do ta harroj kurrë këtë ndeshje.

Pse?

Sepse që kur isha fëmijë ëndërroja të luaja në nivele të tilla europiane. Kam punuar shumë dhe mendoj se ky është një shpërblim i mirë. Gjithsesi, do të më duhet shumë punë në të ardhmen. Jam i sigurt për këtë.

A do të qëndroni te Skënderbeu nëse kualifikoheni për në fazën e grupeve?

Jo, është vendosur tashmë. Në “Elbasan Arena” do të jetë ndeshja ime e fundit. Skënderbeu dhe futbolli shqiptar më kanë dhënë realisht shumë dhe unë kam jetuar i lumtur në Korçë. Më pëlqen qyteti dhe njerëzit aty. Jam ndier gjithnjë mirë, por tani ka ardhur momenti të provoj një aventurë të re.

A jeni i bindur në zgjedhjen që keni bërë?

E kam menduar mirë, natyrisht që nuk kam asnjë peng.

Si u ndiet kur Skënderbeu pësoi gol në minutën e fundit?

U mërzita, u zhgënjeva. Ishim aq pranë asaj fitoreje historike, por nuk ia dolëm dot. Futbolli kështu e ka, ndonjëherë të dënon kur nuk përqendrohesh deri në fund. Por jam profesionist dhe e pranova me qetësi verdiktin e fushës. Më ka rastisur edhe mua të shënoj në minutën e 95-të dhe gëzimi ka qenë i pamasë. Prandaj në futboll duhet të dish të ruash qetësinë, sido që të shkojë.

Sa shanse ka Skënderbeu të kualifikohet?

Mendoj se kemi shanse të mira. Natyrisht, do të na duhet një tjetër ndeshje e madhe në Elbasan, por mundësitë i kemi ama.

Çfarë mendoni se ka më shumë Skënderbeu se Dinamo për ta merituar kualifikimin?

Skënderbeu sakrifikon më shumë në fushën e lojës. E ndieja që në fushë se ne lojtarët e Skënderbeut ishim shumë të lidhur me fanellën dhe realisht e duam skuadrën tonë. Pra, luanim dhe njëkohësisht donim patjetër të nderonim fanellën që mbanim veshur. Krejt ndryshe më dukeshin lojtarët e Dinamos së Zagrebit. Nuk e ndienin sa ne fanellën, megjithëse kanë shumë potencial për të qenë realist. Kjo ishte ndjesia ime, mund edhe ta kem gabim…

A e kishit mbivlerësuar Dinamon?

Jo, e them me bindje këtë. Nëse do ta kishim mbivlerë- suar, nuk do të kishim bërë atë pjesë të parë shumë të mirë.

Në kthim skuadra kroate do të ketë edhe dy yjet e saj Sudanin, si dhe Çoriçin të rikuperuar. Ju shqetëson kjo?

Unë mendoj se ata do të jenë një problem. Është logjike që të jetë kështu, pasi janë dy futbollistët më të mirë që ka Dinamo sot. Ne e shfrytëzuam maksimalisht këtë element në ndeshjen e parë dhe mendoj se ia arritëm të merrnim atë që donim, pra një rezultat pozitiv. Por çështja është që tani Dinamo e njeh forcën tonë dhe do të vijë akoma më e përgatitur që të sigurojë kualifikimin.

Po ju si do t’i përgjigjeni?

Unë kam edhe një mision të vetëm me Skënderbeun: dua vetëm t’i kualifikoj. Nuk bëj premtime, por e kam idenë në kokë vazhdimisht se kam 90 minutat e fundit me këtë skuadër dhe dua që ta ndihmoj me të gjitha mënyrat që të kualifikohet. Do jap gjithçka nga vetja ime, por jam i bindur se edhe shokët e skuadrës do të bëjnë më të mirën.

Ç’mendim keni për sulmuesin e ri Soue?

I fortë. Goxha i mirë. Mua më pëlqeu, sepse bëri shumë punë, edhe pse kishte vetëm pak ditë më ne. Mendoj se është një goditje e mirë e drejtuesve të Skënderbeut./panoramasport

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb