NGA ORNELA MANJANI

TIRANE
– Ndërtimet pa leje që kanë mbetur peng i planeve rregulluese do të mund të përfshihen shumë shpjet në procesin e legalizimit. Përfituesit do të jenë në kryeqytet, pasi në muajin tetor Bashkia e Tiranës do të miratojë planin e ri rregullues. Lajmi u bë i ditur nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, dje në një takim me banorët e Laprakës, ku shpërndau 226 leje legalizimi. Lame u rishpjegoi banorëve përfitimet nga vendimi i fundit i qeverisë, sipas të cilit nuk do të jenë më personat që kanë ndërtuar pa leje dhe kanë marrë legalizimin që do të shkojnë në hipotekë për aplikuar për tapi, por do të jetë vetë ALUIZNI që do ta ndjekë këtë proces.

NDËRTIMET E BLLOKUARA
Janë disa zona të kësaj njësie, siç është ajo e zonës së Institutit Bujqësor, që kanë ndërtime të larta, të cilat mund të zgjidhen vetëm me miratimin e planit urbanistik nga bashkia. Pas disa ditësh, ndoshta do u japin një lajm shumë të mirë atyre që kanë për të legalizuar, por janë bllokuara nga plani i vjetër vendor. Kemi gjetur zgjidhjen e një problemeve më të sikletshme të atyre banorëve. Me miratimin e planit të ri rregullues të Bashkisë së Tiranës, që është çështje muaji, problematika e shumë banorëve, të cilët janë të ngrirë për legalizimin e shtëpive për shkak të planit të vjetër rregul-lues do të marrë rrugë”, – tha Lame.

“Janë rreth 226 leje për t’u shpërndarë, të cilat bashkë me lejet e dhëna shkojnë deri në 1100. Për dy vite këto janë shumë, por për nevojat janë ende pak. Tani është e zgjidhur si procedurë fakti që në zonat informale periferike përpara mbylljes së këtij mandati përfundon legalizimi. Jemi zona më e rëndësishme e Tiranës, nuk është hera e parë që ne vijmë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë takimet, pasi bëhen për një arsye shumë të thjeshtë. Drejtoritë japin leje përditë, keni të afërm që e kanë mbyllur procesin pa i ngacmuar njeri, por është e domosdoshme të bëjmë takime, sepse sa më shumë të jemi bashkë, aq më shpejt do e çojmë përpara këto proces. Ju e mbyllni sot këtë proces, por flisni me të afërmit tuaj dhe thojini që të vijnë të plotësojnë dokumentet në rast se u duhet që të mbyllim procesin.

Në fillim të shtatorit ne futëm në fuqi vendimin e ri të qeverisë, që ka të bëjë me aplikim në hipoteke për të marrë tapinë e shtëpisë, dokumentin e pronësisë dhe të mos aplikoni ju në hipotekë, por ta bëjë zyra jonë. Kjo do të thotë se, nëse deri në gusht ishit të detyruar të shkonit në hipotekë, tani nuk duhet të shkoni më, sepse këtë gjë do ta bëjë ALUIZNI. Ju merrni lejen për të qenë të qetë që shtëpi. Në bëjmë aplikimin dhe kur hipoteka mbyll këtë proces, do të lajmëroheni që në çdo moment të shkoni të merrni tapitë. Ishte një bezdi që kishit, tani këtë e mbyllim ne brenda nesh”, – tha Lame.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb