Pas letrës së komisionerit evropian Johannes Hahn, i cili fajësonte opozitën për bojkotin e zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë ironi nga çadra në ditën e 83 të protestës duke thënë se qytetarët shqiptarë e njohin më mirë qeverinë e drogës dhe të krimit se sa ndonjë evropian.

“83 ditë përballë shëmtisë së fytyrave kriminale dhe banditëve në pushtet, përballë arrogancës së pushtetarëve të majmur me gjakun e djersën e shqiptarëve. Pa zgjedhje të lira s’do kishte kurrë Europë. Europa e vlerave është Europa e demokracisë së vërtetë dhe jo me zgjedhje moniste, të diktuara nga droga e krimi. Ju i dini më mirë se ndonjë evropian, ju shqiptarët europianë. Beteja jonë është beteja e drejtë për Shqipërinë, Europën, për vlerat elemtare pa të cilat nuk mund të ketë Europë e Shqipëri,” tha Basha.

Pak më herët komisioneri Hahn në letrën e tij shprehte keqardhje për bojkotin e zgjedhjeve nga ana e opozitës, por gjithsesi ai tha se demokracia duhet të ishte një proces që duhet të ecte përpara, sidomos për një vend si Shqipëria që ka aspirata për t’u bërë anëtare e BE-së.

“Nuk do të ulim kokën para krimit e drogës, para narkoshtetit, por do bashkohemi të gjithë këtu më 13 maj në një protestë që nuk është vetëm e tillë, në një manifestim, në një bashkim që do ketë një emër e do hyjë në histori si referendumi për Republikën e Re. Sa i trembet Republika e Vjetër, krimi e droga, nuk ka forcë kriminale, t’i bëjë ballë dëshirës së qytetarëve për liri. Nuk ka luftë më evropiane se lufta për zgjedhje të lira e të ndershme. Në 83 ditë, kjo ka qenë beteja më patriotike, paqësore e më evropiane që ka njohur Europa në këto vite. I tillë do jetë dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve ditën e shtunë. Kukumjaçkat e Republikës së Vjetër nuk na trembin,” tha Basha mes të tjerash.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb