Eurodeputeti Eduard Kukan me anë të një postimi në rrjetin social ‘Twitter’ ka reaguar pas letrës së Johanes Hahn drejtuar shqiptarëve. Kukan shpreh plotësisht mbështetjen e tij për fjalët e Hahn drejtuar shqipëtarëve dhe klasës politike shqiptare. Në postimin e tij në ‘Twitter’ Kukan shkruan: “Mbështes plotësisht deklaratën Hahn për qytetarët shqiptarë”. Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn reagoi lidhur me situatën politike në vendin tonë. Me anë të një letre dërguar shqiptarëve, Hahn shprehu keqardhje për bojkotin e opozitës për zgjedhjet e 18 qershorit, por sipas tij procesi duhet të vazhdojë më tej. Ai tha se janë bërë përpjekje për të promovuar dialogun dhe se janë dëgjuar të gjitha kërkesat e palëve. Të gjitha fjalëve të tij eurodeputeti Kukan i shprehu mbështetjen e plotë.

Screenshot_2

LETRA E JOHANNES HAHN

“Të dashur qytetarë të Shqipërisë, të dashur miq, Ju drejtohem sot me shqetësim të madh. Gjatë disa javëve të fundit, janë bërë disa përpjekje për të nxitur dialogun midis partive politike në Shqipëri, nga përfaqësues të BE-së, përfshirë mua, dhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë nga të gjitha anët, duke u përpjekur të lehtësojmë një zgjidhje të krizës në vazhdim. U ofruan një numër opsionesh, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit të ndjejnë përgjegjësinë e tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Për fat të keq, kjo nuk u provua. Pra, sot jemi në një situatë ku është vënë në lëvizje procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës. Ka qenë zgjedhje e vetëdijshme e opozitës aktuale ajo për të mos u futur në zgjedhje. Më duhet të respektoj, por në të njëjtën kohë shpreh keqardhje të thellë për këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që ofrojnë një ofertë të gjerë politike dhe ruajnë standartet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë prapa. Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike.

Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare. Institucioni më kompetent evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve – ODIHR – tashmë ka nisur aktivitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne jo vetëm e mbështesim fuqimisht ODIHR – presim gjithashtu që të gjitha institucionet relevante në Shqipëri do të sigurojnë bashkëpunim dhe transparencë të plotë për misionin e tyre, si gjatë javëve para zgjedhjeve, ashtu edhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Është në interes të Shqipërisë dhe autoriteteve të saj që OSBE / ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje të kryejnë sa më mirë rolin e tyre vendimtar dhe vlerësimin e zgjedhjeve. Prandaj, dua të jem i qartë edhe për një gjë: dënoj fuqishëm çdo thirrje për “veprime” që do të cënonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore.

Këto “veprime” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, është një vlerë thelbësore evropiane që idetë dhe propozimet politike – pa marrë parasysh nëse ju pëlqejnë apo jo – diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj, të të gjitha palëve. Në lidhje me këtë, më lejoni të them edhe se moszhvillimi i zgjedhjeve në Kavajë nuk është një fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë. Të dashur qytetarë, Kam besim të plotë se njerëzit e Shqipërisë do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të demonstrojnë përmbajtjen dhe maturinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE. E them qartë: udhëheqësit do të mbahen përgjegjës nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë. BE do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Dhe edhe më shumë se kaq: ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.”

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb