TIRANE- Vijon debati në distancë mes studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi dhe Ilir Demalisë, i njohur si një nga personazhet e ambasadave të korrikut ’90 dhe botuesi i letrës së vetme të shkrimtarit Ismail Kadare (për motrën e tij) drejtuar diktatorit Enver Hoxha në 1982.

Pas akuzave të Demailisë për këtë letër, historiani i njohur i është përgjigjur përmes një statusi në FB, ku shprehet se Demaliaj nuk ka lidhje me letrën e Kadaresë që publikoi, është thjesht një shpërndarës, ndërsa shton se pas tij fshihen të tjerë. Për këtë arsye, sqaron Dervishi, Demaliaj nuk mbahet dot dhe zgjedh sulmet personale.

STATUSI I PLOTE I DERVISHIT

Për Demaliajn dhe “furnitorët” e tij

Lexova sot në median online një tekst kundër meje me nënshkrues Ilir Demaliajn. Pasi debatin për çështjen e letrës së Ismail Kadarese nuk ka se ku ta çojë më, Demaliaj e ka devijuar përmbajtjen e këtij teksti në çështje personale, duke dalë shumë herë jashtë thelbit të asaj që ka shkaktuar diskutime. Unë nuk jam marrë me Demaliajn, pavarësisht se e kisha fare kollaj këtë gjë, por me thelbin e problemit, me letrën që porositësit ia dhanë për të bërë shpërndarësin, duke i shpjeguar publikut se nuk është asgjë e veçantë, por vijim i një praktike të viteve 1978-1980 me të cilën janë goditur një grup intelektualësh në Tiranë, ndër të cilët edhe motra e Ismail Kadaresë. Letra e reklamuar nuk është e veçuar nga këto ngjarje. Nëse shihet si e shkëputur nga mosdija, përligjet, por kur këmbëngulet edhe pas marrjes së dijes, veprimi nuk është veçse tjetërsim i të vërtetës. Synimi i Demaliajt ishte manipulimi i opinionit publik në mënyrë që ky ta shihte Ismail Kadarenë si keqbërës të motrës së vet, për të ndërtuar perceptimin se kur është kaq i keq me të motrën, imagjino si duhet të ketë qenë me të tjerët.

Publikut (si në qershor 2011) i bëra të ditur praktikën e çështjes, që besoj se as Demaliaj nuk kishte si ta njihte. Konkretisht, i kam rrëzuar Demaliajt dy tezat kryesore që i paraqiste publikut:

1-Letra e Ismail Kadaresë nuk është denoncim, por kërkesë për mosdënim.

2-Dosja në ngarkim të motrës nuk është mbyllur në vitin 1978, por në kohën kur u shkua letra, në vitin 1980.

Demaliaj që as më njohka si studiues e historian, (e si përfundim nuk ka lexuar asnjë libër timin apo të vlerësojë çfarë është studimi historik dhe çfarë është përmbledhja e dokumenteve), më “njohka” në largësi dhe nga mërgimi, si “shpërndarës të materialeve seleksionuese” që i paskam dhënë “atje ku duhej” si shpërblim “për postin partiak të drejtorit” (!). Të gjitha fjalitë dhe përcaktimet, në të gjitha formulimet janë shpifje të Demaliajt e asgjë tjetër. Asgjë e thënë prej tij nuk përputhet me karakterin dhe as me krenarinë time. Krijimtaria ime është publike. Mjafton një çukitje (elektronike) në adresën ëëë.bksh.al ku do të gjesh artikujt nga viti 1999 e deri sot si dhe librat nga viti 2003 e deri sot. Studiues bëhesh, nuk emërohesh. E si të tillë nuk më zhbën as Demaliaj e kushedi kush tjetër pas tij. Çdo përballje e kanë betejë të humbur.

Artikulimi i Demaliajt është i barabartë me qindra letra kundra meje të shkruara nga ish oficerë të Sigurimit (e përsëris, më kanë nderuar se nuk pres lëvdata nga kjo kategori persekutorësh), që ia drejtonin ministrit Saimir Tahiri gjatë vitit 2014, gjë që tregon se është e njëjta prerje dhe teknologji. Për oficerët e Sigurimit, krimet e komunizmit (gjenocidi kundër njerëzimit) që unë kam denoncuar dhe që do t’i denoncoj pa kurrfarë stepje e droje, përbënin “sekret shtetëror”.

Funksioni i drejtorit (meqë u përmend) është fituar me konkurs e jo me emërim si të kohës së Kadri Hazbiut. Unë nuk kam lindur drejtor. Kam vite që studioj në arkiva në mënyrë të pandërprerë. Arkivat janë jeta ime. P.sh. në sallën e AQSH-së do jem nesër (e mërkurë). Sigurisht dihet nuk do ta shoh Demaliajn aty.

E dyta, legjislacioni i arkivave (që Demaliaj thotë se nuk e njeh) e ndalon anëtarësinë partiake të punonjësve të rrjetit arkivor. Në rastet kur vërehet se një punonjës i rrjetit arkivor është anëtar partie apo përzihet në aktivitete partiake, kjo është shkelje ligji. Unë nuk do t’i jap leksion falas Demalisë për legjislacionin për arkivat, por mund t’i them se në këtë fushë, jam ndër njohësit më të mirë në vend. Shfrytëzimi dokumentacionit nuk lidhet me funksionin, por me qëllimin e studimit. Shumica e dokumentacionit është lirisht e shfrytëzueshme.

Meqë më ka bërë “partiak”, do ishte mirë të më gjente edhe partinë. Ndoshta këtë punën e partisë e ka traditë familjare nga Partia e Punës dhe i sheh gjithmonë gjërat te ajo parti. E unë nuk jam as bir oficeri Sigurimi apo anëtari të Partisë së Punës, siç më rezulton Demaliaj. Nuk kam as të afërm që të kenë punuar në Sigurimi e as në burgjet e diktaturës. Për “fat të keq” më ka munguar tradita familjare e anëtarësimit në Partinë e Punës e në Sigurim, e si pasojë, nuk jam anëtarësuar kurrë në ndonjë parti.

Këshilltarët e Demaliajt, ose thënë ndryshe “porositësit” po e keqdrejtojnë edhe në tekstet e fundit. Unë nuk i kam thënë në asnjë rast që është “paguar” apo jo (sepse nuk kam si ta di këtë). Por i kam thënë qartë se këtë rast është vetëm një shpërndarës dokumenti. Në të gjitha postimet e tij, Demaliaj, ndërsa nuk i dinte as referencën arkivore dokumentit, nuk shpjegon asnjëherë mënyrën sesi u njoh me letrën, sepse nga pozita e shpërndarësit, e njeriut që mori përsipër veprimin, nuk ka çfarë të thotë. Ne studiuesit i njohim të gjithë personat që konsultojnë arkivat. I kuptojmë fare lehtë shpërndarësit apo plagjiatorët sepse nuk dinë as ta referojnë atë që u jepet e gatshme. Dallimi midis shpërndarësit dhe studiuesit është shumë i madh. Studiuesi është njeri që konsulton dokumentet me dhjetëra vite, ndërsa shpërndarësi është kalimtar, kureshtar, person i rastësishëm, që vihet në dispozicion të të tjerëve kur ata kanë frikë të përballën drejtpërdrejt me një dukuri apo person të caktuar.

Teknika e shkrimit të librave është e drejtë e kujtdo autori. Ajo i përmbahet karakterit që ka libri. Sigurisht nuk mund të bëj analizën e librave të autorëve të tjerë. Por i sugjeroj Demaliajt, meqë tani ka një letër dhe disa të tjera që ia kanë dhënë, të përgatisë një libër me ndonjë titull të egër.

Demaliaj shprehet se është për një ballafaqim të vërtetë me të kaluarën komuniste. Shumë mirë. Edhe unë jam i këtij mendimi dhe bie plotësisht dakord me të. Një gjë e tillë do të thotë një përballje e plotë (jo vetëm shkresërisht) dhe e gjithanshme me makinën shtetërore e partiake diktatoriale, duke filluar me punëtorët operativë të Sigurimit, hetuesit, prokurorët, sekretarët e parë, komandantët e komisarët e kampeve dhe burgjeve, e çfarë të duash tjetër. Nuk është ballafaqim me të kaluarën paraqitja si “prova” e kërkesave njerëzore për të mos u dënuar motra, apo të vesh në radhën e parë të krimit shkrimtarët e në bisht të lësh operativët e Sigurimit.

Së fundi, po e mbyll këtë postim, me një fakt tjetër në lidhje me problemin e centralizuar “Shtrigat”. Demaliaj ka thënë disa herë se dosja e Kadrie Kadaresë është mbyllur pasi ajo është këshilluar. Mirëpo, pas këshillimit, ndjekja ka vazhduar. Ja cili është vlerësimi i organeve të punëve të brendshme për të: “Është për t’u theksuar se Kadria ia ka treguar (Asamble Hatibit-shënim) me imtësi faktin që është këshilluar nga ana jonë. Për Kadrien ka materiale edhe nga burime të tjera”.

Kjo do të thotë se pas këshillimit e deri në vitin 1980, Kadrie Kadare ka vijuar në mënyrën e saj agjitacionin e propagandën kundër regjimit, e si e tillë ka qenë sërish në përpunim. Logjikisht letra e Ismail Kadaresë është shkruar në kohën e duhur teksa arrestimi i saj ka qenë i sigurt.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: