Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn ka falënderuar sot përmes një statusi në Twitter shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadere për letrën dërguar dje ambasadores së BE-së në vendin tonë, Romana Vlahurtin.

“Falenderoj shkrimtarin Ismail Kadare që mbështeti ambasadoren Vlahurtin. BE do punojë fort për gjithë shqiptarët”,- thotë Hahn.
Hahn
Në letër Kadare shprehej i pikëlluar për shkrimin e botuar sëfundmi në media nga Kastriot Myftaraj që e quante ambasadoren “Kur*ë kroate” e shkonte deri aty sa fliste për skenarin e vrasjes së saj.

Shkrimtari i njohur shprehej i pikëlluar madje i gatshëm t’i kërkojë ndjesë në gjunjë ambasadores dhe e siguronte se mirënjohja ndaj saj do jetë e pacenueshme.

LETRA

Letër për Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Shqipëri
E nderuara Zonjë,
Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.
Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë.
Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.
Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.
E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.
Ismail Kadare
Paris, 10 maj 2017

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb