NGA Dashnor KALOÇI

Ashtu siç kemi parë edhe në disa prej kapitujve paraardhës të këtij libri, nga fillimi i viteve ’80-të dhe në vazhdim, në adresë të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, rezulton të kenë ardhur një numër i madh ftesash nga vende të ndryshme të botës, ku vendin kryesor e zinin ato nga Franca, në të cilat Kadare ftohej të merrte pjesë në festa, përvjetorë, takime, simpoziume, promovime, panaire librash e tjera evente kulturore dhe artistike.

Por, ndryshe nga kjo mori ftesash, aty nga fillimi i qershorit të vitit 1985, në adresë të tij ka ardhur një ftesë e veçantë, apo më saktë “një propozim për një ftesë”, nga ana e Frederik Miteran, (nip i Presidentit francez, Francois Miterand), gazetar dhe drejtues i njohur i emisionit të filmave “Etotiles et Totiles”, në kanalin e parë të televizionit francez.

Kjo gjë bëhet e ditur nëpërmjet një telegrami shifër “Tepër sekret” të ambasadorit shqiptar të asaj kohe në Paris, (Maxhun Peka), dërguar në adresë të eprorëve të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Sipas dokumentit me telegramin në fjalë, ambasadori Peka rezulton që të ketë pasur për një darkë pune, (ku ka asistuar dhe vartësi i tij, Thoma Haxhi) zotin Frederik Miteran dhe kolegun e tij, Patric Jaudi, ku ndër të tjera ata i kanë shprehur dëshirën që presidenti Miteran ka dëshirë që të presë në një takim, shkrimtarin e njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Për të cilin ata janë shprehur me superlativë, duke thënë mes të tjerash se: “Kadare pa asnjë dyshim është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të sotëm”. Po kështu, ata i kanë bërë të ditur ambasadorit shqiptar dhe kolegut të tij se të gjitha romanet e Kadaresë ndodhen në zyrën e këshilltarit kulturor të presidentit Miteran, Erik Arnalt, i cili njihej si një nga adhuruesit më të mëdhenj të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadaresë në Francë.

Thamë pak më sipër se kjo ftesë ishte e veçantë, pasi ndryshe nga herët e tjera, ftesa apo më saktë propozimi, (që bëhej gjysmë zyrtarisht në adresë të Kadaresë), bëhej jo për ndonjë njeri të artit, kulturës dhe letërsisë, por “për llogari”, të një personaliteti tepër të madh politik, jo vetëm të Francës, siç ishte presidenti francez Francois Miterand. Gjë e cila nuk rezultonte që të kishte ndodhur më parë nga ftesat e ardhura në adresë të shkrimtarit të njohur shqiptar, i cili që nga viti 1972 kur në Francë u përkthye dhe u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, po ngjallte interes të jashtëzakonshëm me veprat e tij në vijim, (tashmë të botuara jo vetëm në Francë), si në qarqet frankofone ashtu edhe më gjerë.

Në këtë kontekst të famës gjithnjë e në rritje të shkrimtarit të njohur shqiptar nga vendi vogël komunist dhe i izoluar i Ballkanit, duket që ka ardhur edhe ftesa në fjalë, e cila i është komunikuar ambasadorit shqiptar nga njeriu i familjes së presidentit Miterand, i cili kurrsesi nuk mund ta bënte atë gjë (propozimin) pa lejen, pëlqimin dhe miratimin e xhaxhait të tij.

Shkrimin e plotë e lexoni në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/08/14/ekskluzive-letra-per-ramizin-presidenti-miterand-ka-deshire-te-takoje-shkrimtarin-ismail-kadare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb