PRISHTINE- Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se ai dhe partia e tij do ta mbështesin kandidatin e koalicionit PDK-AAK-Nisma, për kryeministër, Ramush Haradinaj, për aq kohë sa do të jetë mandatar për krijimin e qeverisë së re.

“Derisa zoti Haradinaj del, thotë: ‘qytetarë të republikës, nuk e kam shumicën, po heq dorë nga mandati’, unë dhe Nisma do të jemi aty me votë, me angazhim, me energji, për ta çuar deri në fund këtë. Kjo është detyra jonë”, është shprehur Limaj në Klan Kosova.

“Nëse zoti Haradinaj nuk e bën shumicën, nëse zoti Haradinaj heq dorë, po e marrim shembull, atëherë është temë tjetër”, ka shtuar i pari i Nismës, që është në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Haradinaj. “Por, ne nuk kemi ardhur aty. Sepse jemi të bindur që këtë vend do ta qeverisë kryeministri i ardhsëm, zoti Haradinaj”, ka thënë më tej Limaj. “Ia ka dhënë besimin qytetari i Kosovës, atë që ia ka dhënë”, është shprehur kreu i Nismës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb