BEOGRAD– Serbia thirri sot ambasadorin e saj në Francë për bisedime pas vendimit të drejtësisë franceze për të hedhur poshtë kërkesën e ekstradimit të Ramush Haradinajt, për të cilin Beogradi kërkonte të gjykohej për krime lufte.

“Beogradi do t’i dërgojë notë proteste Francës sepse bëhet fjalë, përsa i përket çështjes Haradinaj, për parime morale dhe juridike dhe jo politike”, deklaroi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç duke reaguar, në një konferencë shtypi në Beograd, për vendimin e Gjykatës së Kolmarit.

“Ne jemi përballur me një fitore të madhe të kriminelëve, të atyre që kanë kryer krime të rënda dhe për të cilat bota moderne na tregon se ata mund t’i kryejnë pa u përgjigjur kurrë për to”, shtoi Vuçiç, i cili e cilësoi si një vendim të turpshëm, skandaloz, antiligjor dhe plotësisht të padrejtë dhe mbi të gjitha shumë politik.

“Ekstradimi i Haradinajt, një ish-kryeministër, aktualisht deputet dhe opozitar i presidentit Hashim Thaçi, do të sillte pasojë të rënda për vetë atë, por gjithashtu edhe për faktin e vlerësimeve lidhur me rolin e tij në jetën politike të Kosovës”, theksoi sot dhoma e udhëzimit të Gjykatës së Apelit të Kolmarit duke shpjeguar vendimin për refuzimin e kërkesës së ekstradimit të paraqitur nga Serbia.

“Ky vendim bazohet vetëm në kriterin e pasojave të një përmase të jashtëzakonshme që do të kishte sjellë ekstradimi i tij. Mjafton që një kriter i vetëm të mos përmbushet që kërkesa të hidhet poshtë”, shtoi një burim gjyqësor.

Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci përshëndeti nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook këtë vendim.

“Shpifjet serbe nuk janë marrë në konsideratë nga bota demokratike”, theksoi ai.
Kosova shpalli në vitin 2008 pavarësinë e saj tashmë njohur nga më shumë se 110 vende duke përfshirë Francën dhe SHBA-në.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: