TIRANË- Maxhoranca ka braktisur komisionin e kulturës ku do të debatohet për teatrin pas akuzave të deputetëve demokratë për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se ka mbrojtur vëllain e tij duke falsifikuar ligjin dhe mos lejuar ekstradimin e tij drejt Italisë ku është i dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg. Ndryshe nga herët e tjera, i gjithë grupi parlamentar i PD-së, jo vetëm anëtarët kanë qenë të pranishëm në komision.

Por ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho ka numëruar akuzat dhe ka kërkuar dorëheqjen e Xhafajt, deputetja socialiste Milva Ekonomi tha se do jetë prokuroria dhe gjykata që do nxjerrë të vërtetën, duke akuzuar PD-në se po keqinformon publikun.

DEBATET
Spaho: Mos kryerja e dënimit, ndërrimi i emrit, ndryshimi i ligjeve të Republikës së Shqipërisë për t’i dhënë atij mbrojtje ligjore nga ana e ministrit në kohën kur drejtonte komisionin e ligjeve.
Po flas për një çështje të rëndësishme që duhet t’iu shqetësojë ju.
Ekonomi: Kemi një rend dite. Kjo nuk është në rendin e ditës. N.q.s doni t’i bëni këto deklarime bëjini nga parlamenti. Komisioni ka tjetër rend dite dhe kemi rënë dakord për një rend dite. Kjo nuk mund të ekzistojë.

Spaho: Në radhë të parë duhet të jeni ju deputetët e Vlorës pasi organizatat kriminale që kanë gjetur strehë në këtë vend duhet t’i luftojmë. Nuk shkohet në Europë me kriminelë. Sot ky është një shqetësim i gjithë qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të kemi një ministër të brendshëm që është i përzier në trafikun e drogës dhe mbron organizatat kriminale. Ministri i Brendshëm duhet të japë dorëheqjen. Nuk do ketë punë normale të këtij parlamenti. Nuk do ketë seancë plenare deri sa ministri i brendshëm të japë dorëheqjen. Deri sa ministri i Brendshëm të japë dorëheqjen nuk do ketë seancë normale as në komisione as në kuvend.
Jemi të vendosur të mos e lëmë qeverinë të jetë pasqyrë e organizatave kriminale, mos ta lëmë policinë t’i shërbejë narko-trafikantëve.

Ekonomi: Do i nxjerrë prokuroria dhe gjykata përfundimet. Mos keq informoni publikun.
Spaho: Milva të lutem se nuk je e atij takëmi që të mbrosh trafikantët.
Vokshi: Çfarë problemi keni me procedurën Milva. Po flasim për një ligj, kur ju ligjet i falsifikoni, çfarë do flasim. Ju paratë e vëllait të ministrit doni t’i përdorni për kulla. Çdo deputet i Kuvendit ka të drejtë të jetë në komision.

(maxhoranca largohet nga komisioni pasi nuk u miratua kërkesa për 5 minuta pushim)

Noka: Agron Xhafaj sot është i lirë dhe çdo ditë endet sa në Vlorë sa në Tiranë. Zhvillon i lirë aktivitetin e tij të trafikut sepse e mbron vëllai i tij ministër. Xhafaj qarkullon me emër tjetër. Kërkojmë të largohet urgjentisht ministri i Brendshëm sepse si kryetar i komisionit të ligjeve ka falsifikuar ligjin për t’i dhënë mbrojtje e suport vëllait të tij të dënuar në shtetin fqinj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb