LONDER-Banorët e më shumë se 800 apartamenteve, janë evakuuar nga një bllok pallatesh, në Camden, në veri të Londrës.
Autoritetet bënë të ditur se njerëzit që banojnë në apartamentet e pesë kullave duhet të evakuohen urgjentisht, për arsye sigurie.
Të pesta këto kulla kanë të njëjtën shtresë veshjeje si kulla Grenfell e cila u përfshi nga zjarri vdekjeprurës dhe autoritetet duan të shmangin përsëritjen e kësaj ngjarjeje.
Këshilli i Camden-it, menjëherë pas përfundimit të evakuimit, do të heqë shtresën termike nga këto kulla, për të shmangur rrezikun e djegies.
Për këtë evakuim foli edhe kryeministrja Theresa May, në rrjetin social Twitter, duke thënë: “Mendimet e mia janë me banorët e Camden-it, që po evakuohen, ndërkohë që shtëpitë e tyre sonte po bëhen të sigurta”.
Si pasojë e zjarrit të rënë një javë më parë në Londër humbën jetën 79 persona. Njëra nga arsyet e përhapjes së shpejt të zjarrit, është vlerësuar se ishte izolimi që përhapi masivisht flakët.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb