TIRANË- Nënkryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur edhe njëherë bindjen se kjo forcë do të dalë e para në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, duke i quajtur sondazhet që e nxorën forcë të tretë, qesharake dhe jo shqetësuese.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, përballë gazetarit Bledian Koka, Kryemadhi tha se LSI nuk paguan haraçe për sondazhe të tilla. “BalkanWeb” sjell deklaratat e numrit dy të LSI.

“Më vjen për të qeshur por fillimi i mbarë nuk janë sondazhet por puna që ka bërë LSI me qytetarët. Sondazhet nuk e kanë treguar asnjëherë fituese. Sondazhet periferike janë qesharake dhe nuk janë absolutisht shqetësuese. LSI nuk ka për të paguar asnjëherë haraçe për sondazhe të tilla që jo vetëm kërkojnë të manipulojnë opinionin publik por edhe të heqin vëmendjen nga hallet e problemet e shqiptarëve.
Fshehja nëpërmjet numrave…Edhe Hillary Clinton fitoi nëpërmjet sondazheve por humbi. Është trillim apo demagogji që jemi mësuar ta shohim në mediat shqiptare për më tepër po të shikojmë metodologjinë”, deklaroi Kryemadhi.

Kandidate për deputet në qarkun e Elbasanit, numri dy i LSI-së tha se sondazhet nuk janë numra dhe se kjo forcë politike nuk bazohet tek sondazhet por në kontaktin me qytetarët në terren.

“Ky është gabimi që kanë bërë mediat dhe partitë politike. LSI nuk bazohet në sondazhe, por në terren në kontaktin e përditshëm me qytetarët. Kontakti me njerëzit është sondazhi më i mirë. Arroganca politike që ne shikojmë rëndom e bën atë shumë larg njerëzve. Shikojmë që kemi jo vetëm një jetë virtuale politike por edhe zhgënjehemi shumë kur shohim rezultatet. LSI nuk është zhgënjyer asnjëherë edhe pse kodet dhe rregullat janë bërë kundër saj”, theksoi Monika Kryemadhi, raporton “BalkanWeb”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: