TIRANE– Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka dalë në një konferencë për mediat, pas deklaratave të Edi Ramës nga Vora, kur tha se LSI po mban peng hipotekat dhe se cirren dhe bërtasin. Luan Rama u shpreh se kryeministri e ka problemin në raportet me Rilindjen, pasi raportet me LSI i ka mbyllur përfundimisht.

“Ka një problem shumë të madh kreu i Rilindjes, problemin e raporteve me Rilindjen, sepse raportet me LSI i ka mbyllur përfundimisht. Qytetarët do ndëshkojnë këtë klloun të mashtrimit dhe të hipokrizisë. Po përdor një tufë banditësh për të manipuluar votat. Ashtu siç bëri deklaratën ndaj policisë. Nuk ka shqiptarë të kuptojë se cfare do të thotë fjala të marrësh dhe çfarë kuptimi do të thotë kur fton policet të mbledhin vota”- tha Luan Rama.

Ndër të tjera Luan Rama tha se ishte LSI që nuk lejoi që reforma në drejtësi të bëhej aneksi i Rilindjes. Nënkryetari i LSI e quajti Ramën kameleon.

“Dhe tani na del se na paska ndihmuar edhe Fiqon. Ai ka marrë pjesë në disa mitingje përmbyllëse të fushatës dhe ka ardhur sa për fasadë se dhe në Vorë ka bërë pazar. Edhe diçka, dua të sqaroj kryetarin gjunjëkëputur të Rilindjes. Ai tha se LSI ka ndihmuar vetëm për reformat dhe asgjë tjetër. Më lejoni të kujtoj gjënë më të rëndësishme, reformën në drejtësi. Këtë reformë ne nuk e lejuam qe të bëhet aneksi i rilindjes. Ai e di se ne nuk e lejuam dhe e di mirë që miratimi me konsensus erdhi falë këmbënguljes së LSI dhe në veçanti të Ilir Metës. Ju e keni gjithçka të regjistruar dhe jepjani shqiptarëve të shohin kush është mashtruesi. Ai mos i marrë qytetarët as për manikin as për budallenj, pasi ata dinë shumë mirë të ndëshkojnë, pavarësisht shfaqjes së kameleonit”- tha Luan Rama.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb