Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako i është kundërpërgjigjur akuzave të LSI-së. Një ditë më parë, nënkryetari i kësaj partie, Luan Rama në një konferencë për shtyp  kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Haki Çakos nga detyra pas denoncimit të disa rasteve të dhunimit të eksponentëve të LSI.

“Jam në krye të detyrës dhe do vazhdoj të jem, jam duke drejtuar një organizatë të depolitizuar”, u shpreh Çako.

FJALA E PLOTE
“Unë jam Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Ligjit për Policinë e Shtetit, Kodit Zgjedhor dhe të gjithë akteve të tjera normative, jam autoriteti i drejtimit administrativ-ekzekutiv dhe operacional i Policisë së Shtetit, por jo lider i subjekteve politike.
Në mënyrë kategorike nuk më lejohet të prononcohem, pavarësisht nga korrentet politike apo edhe interesat e caktuara të tyre.
Përveç faktit që jam duke drejtuar një organizatë të depolitizuar me ligj, jam në krye të detyrës, do të vazhdoj të jem në krye të detyrës, përsa kohë jam duke e zbatuar atë me përpikmërinë maksimale, dhe jam duke ndjekur që të gjithë procesin zgjedhor.
Policia e Shtetit sot është një nga institucionet e besueshmërisë më të lartë në sigurimin dhe menaxhimin e këtij procesi i cili monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, por edhe të detajuar nga qendra në bazë dhe në të gjitha strukturat vendore, nga të gjithë aktorët dhe faktorët dhe sidomos partnerët ndërkombëtarë nga OSBE-ODHIR-i, pranë Drejtorive vendore dhe strukturave të tjera të Policisë që janë të atashuar.
Por dhe në çdo veprim procedurial dhe hetimor, transparenca e Policisë është maksimale, i përcillet informacion në kohë rekord të gjithë parterëve tanë, misioneve të huaja që monitorojnë Policinë e Shtetit, por njëkohësisht jemi në një bashkëpunim dhe në një bashkërendim të jashtëzakonshëm me Prokuroritë respektive të Rretheve Gjyqësore dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, sigurisht për çdo veprim të kryer nga Policia”.
Faleminderit!

AKUZAT E LSI
“Këto janë akte të shëmtuara dhune ndaj mbështetësve të LSI. Ditën e sotme persona të armatosur goditen blerim çelën me levë, ndërsa policia aty afër nuk ndërhyri. Banditë të rilindjes sulmuan kryetaren e LSI e të LRI në Pukë, pasditen e sotme, ende nuk janë identifikuar dhe kapur autorët. Situata kriminale është rënduar nga thirrjet e kreut të rilindjes Edi Rama. Kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të shefit të policisë në Pukë, Lezhë Berat dhe të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Nëse nuk merren masa, atëherë në të kundërt mosveprimi në një rast të këtillë përballë këtyre fakteve skandaloze është bashkëfajësi e funksionarëve më të lartë shtetërorë përfshirë këtu kryetarin e Rilindjes. Jemi të detyruar të mbrojmë votën dhe veten pa i kapërcyer kufijtë ligjorë. Socialistët të ndahen nga rastet e dhunës”, tha Luan Rama dje.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb