TIRANË-Pas dorëheqjes së Petrit Vasilit nga posti i kryetarit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot Konventën Kombëtare Zgjedhore.

Konventa e cila nisi në orën 18:35, zgjodhi Monika Kryemadhin kryetare të LSI me votim të hapur.

“Lëvizja Socialiste për Integrim zhvillon ditën e mërkurë, më datë 5 korrik Konventën Kombëtare Zgjedhore. Konventa starton në orën 18:00 e do të mirëpresë delegatët e LSI nga e gjithë Shqipëria për të zgjedhur Kryetarin dhe Zv.Kryetarin e ri të partisë”, thuhej në njoftimin e LSI-së pak ditë më parë.

Sakaq, në vend të Vasilit është zgjedhur Monika Kryemadhi, e cila deri më tani mbante postin e nënkryetares.

Ilir Meta dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSI-së pas zgjedhjes President i Republikës, ndërsa pas tij u zgjodh Petrit Vasili kryetar dhe e drejtoi LSI-në për dy muaj.

Kryemadhi është e para femër në krye të një partie të madhe në vend. Ajo është bashkëshortja e themeluesit të LSI-së, Ilir Meta, i zgjedhur President i vendit, i cili më 24 korrik do bëjë betimin.

Në fjalën e saj para mbështetësve të LSI gjatë Konventës, Kryemadhi premtoi se kjo forcë politike do të jetë opozita e vërtetë e vendit.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: