Elseid Hysaj është mes futbollistëve që kanë luajtur më shumë ndeshje zyrtare gjatë 11 muajve të fundit në të gjithë Europën. Të dhënat e CIES, Observatorit të Futbollit, që studion statistikat futbollistike, e renditin mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare mes atyre që kanë prekur më shpesh fushën e lojës duke marrë për bazë të gjitha takimet e luajtura që nga data 1 korrik e vitit 2016 për lojtarët që aktivizohen në 5 kampionatet e mëdha europiane.

Renditja e përpiluar nga CIES sheh Hysajn në vendin e 32-të, në listë, me 52 takime të zhvilluara dhe 4473 minuta lojë, për të vërtetuar edhe një herë se ai është ndër lojtarët që kanë luajtur më rregullisht në Europë në këtë sezon. Në fakt, ai rezulton të ketë luajtur në të njëjtin numër ndeshjesh si Kristiano Ronaldo apo Robert Levandovski dhe më shumë takime se sa Serxhio Ramos apo Xhixhi Bufon të cilët në fundjavë do të luajnë finalen e Ligës së Kampioneve.

Sipas përllogaritjeve të CIES, Hysaj është futbollisti i dytë që ka luajtur më shumë minuta mes atyre që aktivizohen në Serinë A, i kaluar vetëm nga Gonzalo Higuain i cili mes Juventusit dhe Argjentinës, regjistron 59 ndeshje dhe 4767 minuta. Gjithsesi, askush nuk arrin në nivelet e Antuan Grizman. Ylli i Atletiko Madrid ka luajtur gjatë 11 muajve të fundit 63 ndeshje dhe 5454 minuta, duke kryesuar i shkëputur renditjen e “të palodhurve”./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: