Sipas sinoptikanëve, vala e të nxehtit e pagëzuar “Lucifer”, ka filluar tërheqjen graduale nga Europa Jugore drejt brigjeve veriore të Afrikës. Meteoalb saktëson se ajo do të zhvendoset drejt juglindjes duke përfshirë Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme (vendet si Turqia, Qipro, Izraeli, Siria, Libani).

Në këto kushte, pjesa më e madhe e Evropës Jugore përfshirë Ballkanin dhe Shqipërinë, fillojnë të çlirohen nga nxehtësia e Luciferit përgjatë 10-diteshit të dytë të gushtit por sërish, jugu i Spanjës dhe Italisë si dhe pjesa më e madhe e Evropës Lindore mbeten me temperatura shumë të larta.

Pritet një riaktivizim i Luciferit në Evropën Jugore dhe Lindore në 10-diteshin e fundit të gushtit por është ende larg për të folur me saktësi mbi shtrirjen e valës Lucifer dhe vlerave termike që kjo valë do të sjellë.

lucifer 1

Lidhur më orët në vijim, sipas Meteoalb do të vijojnë kthjellimet, por në zonat malore herë pas here do të shfaqen vranësira kalimtare, më të dukshme në verilindje-juglindje. Parashikimet janë që edhe pasditja të mbetet në të njëjtat kushte në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar juglindjen ku pritet fuqizim i vranësirave ku priten rrebeshe shiu afatshkurtër.

Meteoalb jep lajmin e mirë se në orët në vazhdim temperaturat e ajrit do të sjellin një rënie 1- 2 gradë C duke bërë që maksimumi në zonat malore të zbresë në 30 – 31 gradë C; në bregdetin e Adriatikut dhe në zonat qendrore temperatura maksimale do shënojë 35 – 36 gradë C, ndërsa territori nga lumi Shkumbin e deri në Sarandë, do të provojë maksimumin e vlerave, 37 – 38 grade C.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb