TIRANE- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Zyrën e Sigurisë pranë prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka organizuar sot Konferencën Rajonale 2-ditore “Mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në Luftën kundër Krimit të Organizuar”.
Në hapje të saj, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se krimi i organizuar është një fenomen global, ndërsa theksoi se duhet bashkëpunim për ta luftuar atë.
Ministri Xhafaj tha se operacioni “Forca e Ligjit” ka dhënë rezultate pozitive në përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar në Shqipëri.
“Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Tashmë ka filluar edhe veprimi konkret dhe rezultatet e para jane pozitive. Operacioni “Forca e ligjit” nuk është i shkëputur nga nismat e tjera te Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit”, u shpreh Xhafaj.
Sakaq, ministri i Brendshëm u ndal tek reforma në drejtësi dhe vettingu në gjyqësor dhe në polici.
Vetingu ne Policinë e Shtetit do na ndihmojë të pastrojmë Policinë e Shtetit nga individë të inkriminuar apo të paaftë.
“Reformimi i sistemit të Policimit në Komunitet do të na ndihmojë të kthejmë besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë. Të gjitha janë pjesë e një programi unik prioritetesh me një moto të vetme: Tolerancë zero në luftën kundër krimit, nga institucione të forta me njerëz të aftë dhe me integritet, në shërbim të qytetarëve. Këto nisma vijnë në kohën e duhur, mbështeten dhe janë në sinkron me procesin e Reformës në Drejtësi që ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme: Vetingun në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ku presim shumë shpejt të shohim rezultatet e para të këtij procesi, si dhe në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë”, u shpreh ministri.
Përmes kësaj konference synohet të promovohet fuqizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese në vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër krimit të organizuar.
Qëllimi është ndërtimi i një platforme për zyrtarët e zbatimit të ligjit, për të diskutuar mbi krimin ndërkufitar dhe në mënyrë të veçantë mbi luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe për të vendosur një bashkëpunim më të ngushtë.
FJALA E PLOTE E MINISTRIT XHAFAJ
E vlerësoj shumë organizimin e kësaj konference rajonale në nivel ekspertësh si një shans e mundësi tjetër për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
Tema e kësaj konference, lufta ndaj krimit të organizuar, është një sfidë e madhe për të gjithë ne.
Krimi i organizuar është një gangrenë që gërryen shoqëritë tona. Ai na detyron të paguajmë kosto të mëdha, demokratike, sociale dhe ekonomike.
Ky fenomen kriminal, nuk ka më karakter lokal apo thjesht ndërkufitar, ai është shndërruar në një fenomen global dhe, duke marrë karakter transnacional, ka treguar aftësi të mëdha adaptimi dhe zhvillimi ndaj ndryshimeve politike dhe shoqërore.
Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme e konsiderojnë Luftën Kundër Krimit të Organizuar si prioritet thelbësor.
Qeveria shqiptare muajin e kaluar ka miratuar një Plan Veprimi për Luftën Kundër Krimit të Orgnizuar – Operacioni “Forca e Ligjit”, i cili ka si objektiv pikërisht këtë, goditjen e grupeve kriminale dhe aseteve të tyre të paligjshme. Kjo nismë, ka një qasje gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare.
Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre.
Tashmë ka filluar edhe veprimi konkret dhe rezultatet e para jane pozitive.
Operacioni “Forca e ligjit” nuk është i shkëputur nga nismat e tjera te Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Operacioni Anti-kanabis gjatë 2017 me rezultatet tejet pozitive të arritura na ndihmoi të hedhim hapa konkretë në kufizimin e të ardhurave të këtyre grupeve nga kultivimi apo trafikimi i kanabisit.
Vetingu ne Policinë e Shtetit do na ndihmojë të pastrojmë Policinë e Shtetit nga individë të inkriminuar apo të paaftë.
Reformimi i sistemit të Policimit në Komunitet do të na ndihmojë të kthejmë besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë.
Të gjitha janë pjesë e një programi unik prioritetesh me një moto të vetme: Tolerancë zero në luftën kundër krimit, nga institucione të forta me njerëz të aftë dhe me integritet, në shërbim të qytetarëve.
Këto nisma vijnë në kohën e duhur, mbështeten dhe janë në sinkron me procesin e Reformës në Drejtësi që ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme: Vetingun në rradhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ku presim shumë shpejt të shohim rezultatet e para të këtij procesi, si dhe në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.
Gjithsesi, çfarëdo nisme dhe sado iniciativë të ketë nga ana jonë, rezultatet do të jenë larg në mungesë të një bashkëpunimi të frytshëm midis nesh.
Kjo konferencë ekspertësh në fushën e Krimit të Organizuar është një mundësi e mirë, për të gjetur alternativat më efikase për një përgjigje të përbashkët dhe të koordinuar ndaj Krimit të Organizuar.
Dëshiroj të falenderoj Prezencën e OSBE në Tiranë, për mbështetjen dhe bashkëpunimin në zhvillimin e këtij eventi.
Ne kemi propozuar gjithashtu edhe nisma të tjera bashkëpunimi ndërkombëtar për luftën ndaj këtij fenomeni.
Jo më larg se në fund të tetorit, në Trieste, në konferencën e organizuar nga Ministri i Brendshëm italian, patëm mundësinë të ndanim me partnerët tanë ballkanikë dhe mesdhetarë, idenë për një iniciativë të re: Krijimin e një Qendre Rajonale të Bashkëpunimit Policor, që përfshin vendet e Ballkanit por jo vetëm, e cila të ketë në fokus pikërisht këtë – luftën pa kufij ndaj krimit të organizuar.
Suksesi në këtë ndërmarrje të vështirë, si lufta ndaj krimit të organizuar, varet nga ne, varet nga sa do jemi në gjendje të shkëmbejmë informacion mbi çështje të veçanta, sa do jemi në gjendje të kryejmë hetime dhe operacione të përbashkëta, sa përkushtim dhe seriozitet do t’i kushtojmë kësaj lufte.
Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë shpreh vullnetin e plotë për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe në nivel politik dhe teknik, nëpërmjet identifikimit dhe zbatimit të sistemeve më të mira për shkëmbimin e eksperiencave dhe informacionit mes agjencive tona ligj-zbatuese.
Lufta ndaj Krimit të Organizuar transnacional është një kontribut që ne i bëjmë vendeve tona dhe qytetarëve tanë.
Përpjekjet tona të përbashkëta do të ndihmojnë në forcimin e ekonomive tona por edhe në krijimin e komuniteteve më të sigurta, duke iu dhënë qytetarëve tanë, mundësi dhe shpresë më të mirë për të ardhmen
Ne kemi një synim të përbashkët: Integrimin në Bashkimin Europian.
Le të ndihmojmë veten duke ndihmuar njëri – tjetrin.
(BalkanWeb)