Pak muaj në drejtimin e Luganos i kanë mjaftuar Paolo Tramexanit për t’i bindur të gjithë se mund të dalë nga “hija” e Xhani De Biazit dhe mund të bëhet një emër i rëndësishëm mes trajnerëve europianë. Ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare, ka arritur të udhëheqë Luganon nga vendet e fundit të tabelës, drejt arenën ndërkombëtare, duke i siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës, edhe pse e drejtoi për herë të parë vetëm në janar.

Falë asaj që ka arritur të ndërtojë në pak muaj Tramexani, klubet e tjera më të njohura kanë filluar të shfaqin interes për të, edhe pse 46-vjeçari ka një kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm me Luganon dhe sipas tij, është gati të qëndrojë në kampionatin zviceran.

Gazetari i njohur Xhanluka Di Marzio ka raportuar në faqen e tij të internetit se për teknikun ka shfaqur interes klubi i Jang Bojz, i cili si nënkampion i Zvicrës, do të luajë në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm dhe mund t’ia ofrojë Tramexanit mundësinë ta drejtojë në këtë aktivitet ku do të marrin pjesë që në turet paraeliminatore.

Ndërkaq, ai ndiqet me mjaft vëmendje edhe nga Bundesliga, ku disa klube gjermane po e monitorojnë dhe janë gati t’i japin mundësinë të tregojë vlerat e tij në një kampionat më të fortë./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: