TIRANE- Pasi mbyllën protestën në mënyrë paqësore, qytetarët, bashkë me kreun e Partisë demokratike, Lulzim Basha, i janë bashkuar çadrës, e cila prej gati 3 muajsh është vendosur në Bulevardin përballë Kryeministrisë. Lideri i opozitës vendosi të japë një mesazh para të pranishmëve në çadër, ndërsa nuk kurseu falënderimet për çdo qytetar që ishte pjesë e tubimit të sotëm. Ai theksoi se me PD-në fiton gjithë Shqipëria.

“Falënderime më të përzemërta dhe bekimin e gjithë qytetarëve shqiptarë që u bashkuan sot në këtë përshkallëzim të protestës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një falënderim nga zemra për çdo shqiptare dhe shqiptar që ngrihet për fatet e Republikës së re që janë fatet e çdo shqiptari të ndershëm. Bashkë do fitojmë. Bashkë fiton gjithë Shqipëria me ne. Zoti ju bekoftë ju, Zoti bekoftë Shqipërinë!”, pohoi Basha.

Prej disa kohësh opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Protesta e sotme u mbajt në 5 pika kyçe të vendit, ku për një orë u bllokua trafiku.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: