TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha iu ka bërë thirrje shqiptarëve të shkojnë në protestën e opozitës më 13 maj, të cilën e quan autostrada referencave që do t’i japë zë qëndresës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai inkurajoi qytetarët duke rrëfyer se do të jetë në protestë me familjen e tij, madje dhe me fëmijët.
“Anembanë botës duhet ta dinë mirë se rruga evropiane e Shqipërisë nuk do të kalojë dhe nuk mund të kalojë nga bojkoti dhe nga mospjesëmarrja por kurrsesi nuk mundet dhe nuk do të kalojë nga asgjësimi i garës së vërtetë dhe nga rikthimi i monizmit, 27 vite pasi e shporrëm njëherë e mirë.

Nuk mundet e nuk do të kalojë nga votime farsë të diktuara nga krimi dhe droga. E ardhmja evropiane e Shqipërisë do të kalojë nga austrada referendare e 13 majit që do t’i japë zërin qëndresës suaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri. Ndaj bashkohuni me mua, me familjen tim, me fëmijët e mi do të jemi këtu”, tha Basha.

Ai tha se Europa do të vijë më 13 maj me vlerat e saj të vërteta dhe me frymën e Zotit.
“Ejani me zemrat e mbushura me besim tek e nesërmja që na pret. Unë e kam parë këtë të nesërme që po vjen, ju po e ndërtoni ditë për ditë të nesërmen e shqiptarëve. Bashkë do shembim çdo pengesë do shembim kupolën e vjetër politike dhe do t’ia dorëzojmë muzeut kombëtar në pavijonin e turpit. Ejani pa frikë. Askush të mos mungojë në këtë moment të historisë, në këtë moment të Europës që do të vijë e shpalosur me vlerat e saj të vërteta dhe do të zbresë me frymën e Zotit më 13 maj, ditën e shtunë në këtë shesh”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha theksoi se PD nuk bën asgjë për pushtetin por për pushtetin e qytetarëve shqiptarë.
“Forca jonë ka qenë kauza e drejtë. Forca jonë ka qenë interesi qytetar. Kjo nuk na ka lodhur por na ka bërë më të fortë dhe më të pamposhtur. Ne nuk bëjmë asgjë për pushtetin dhe pasurinë tonë dhe gjithçka për mirëqenien dhe pushtetin e qytetarëve shqiptarë. Të bashkohemi të gjithën në sheshin e lirisë, ditën e shtunë në orën 12:00”, tha Basha.

(m.k.BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: