TIRANË – Menjëherë pas dorëzimit në Kuvend të projektligjit për hapjen e dosjeve nga deputetja e PD-së Mesila Doda dhe deputeti i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka reaguar Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Edi Paloka.

Sipas Palokës, “PD-ja ka mbështetur dhe mbështet me forcë transparencën ligjore dhe institucionale për krimet e komunizmit dhe përgjegjësitë për këto krime, në bazë të rezolutave të Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira europiane. Por kjo nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre.”

Deputetja demokrate Doda, duke dorëzuar projektligjin, deklaroi se pavarësisht bojkotit të PD-së, ajo do ta mbrojë atë në Kuvend dhe madje i bëri thirrje edhe kolegëve të saj të të dy krahëve ta mbështesnin.

DEKLARATA E PLOTË E PD

“Dyshja Rama-Meta katër vjet më parë kundërshtoi me forcë Ligjin për Lustracionin të propozuar dhe të miratuar nga Partia Demokratike.

Dyshja Rama – Meta ka risjellë sot në pushtet dhe pozicione drejtuese kuadro të larta të ish Sigurimit të Shtetit. Kjo është arsyeja se pse as transparenca ligjore dhe institucionale dhe as hapja e dosjeve nuk mund të bëhen nga kjo dyshe.

Edi Rama nuk ka asnjë interes dhe asnjë mundësi të bëjë transparencë të besueshme. Nuk mund të hapin dosjet vetë hartuesit e tyre që sot janë rikthyer në pushtet me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Kjo çështje është aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike dhe mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keq-qeverisjes. Për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga braktisja e pashembullt e premtimeve elektorale dhe futja e vendit në krizë ekonomike. Nga skandalet e përditshme të qeverisjes dhe perspektiva akoma më e errët për vendin me rritjen e taksave dhe buxhetin klientelist. Nga kriminalizimi i qeverisjes dhe i parlamentit.

Partia Demokratike është e vendosur që së bashku me përfaqësuesit legjitimë të ish të përndjekurve politikë të jetë në ballë të përpjekjes për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe përgjegjësive për këto krime.

Por kjo nuk mund të arrihet as nga duart e pista të ish-persekutorëve të regjimit sot në qeveri dhe as me duar të tjera të përdorura për qëllimet e tyre.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb