Nga: Ben Andoni

Në këtë intervistë të zgjeruar për “Milosao” nga ana e piktorit dhe arkitektit të njohur shtjellohen shumë elementë sa i përket Realizmit Socialist dhe dështimit të tij. Për z.Velo është e qartë se një sistem që nuk përdor nudon është i dështuar dhe kjo i ndodhi dhe Realizmit. Sa për Enver Hoxhën, ai shprehet se: Enver Hoxha nuk kish përgatitje në artet figurative. Kjo është lehtësisht e kontrollueshme po të shohësh çfarë koleksioni kish mbledhur në shtëpinë e tij. I kam parë. Enver Hoxha lexonte, me që dinte edhe frëngjishten lexonte edhe në atë gjuhë, por në art ish i papërgatitur. Jo vetëm ai, por edhe vetë artistët, nuk e njihnin artin modern. Në Shqipëri ish vetëm kultura e leximit të librave, ajo e mbajti gjallë një gjendje pak intelektuale. Dhe sot jemi shumë larg njohjes dhe vlerësimit të artit figurativ. Është proces shumë i vështirë. Na mungon tradita. Enver Hoxha bëri shumë dëme në strukturën totale të artit, nuk kish kush e kundërshtonte, pastaj kundërshtia ish e pamundur”.

Maks Velo njihet për qëndrimet e tij pa kompromis, por edhe për shprehjen e lirë të mendimeve. Pasi e ka treguar qëndrimin e tij me shumë prej gjinive të artit, në vitet e fundit është shprehur edhe në gjini të tjera të artit. “Gjatë tërë historisë së artit, që në primitivitet (Venera e Vilendorfit 30.000 p.K.), skulptorët kanë qenë të lidhur direkt më shumë se tërë artistët e tjerë me nudon femërore. Kurse arti i Realizmit Socialist e ndërpreu këtë. Për 45 vjet në tërë territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë skulpturë nudo femërore. Në fakt kjo që dukej kaq e thjeshtë ish ajo që e rrënoi artin e Realizmit Socialist, si në Rusi edhe këtu. Këtë e analizoj imtësisht në libër”. Por Maks Velo ka konceptin e tij për artin dhe diktaturën. Mënyrën sesi kjo e fundit ushtroi ndikimin e saj dhe rolin e diktatorit komunist. Një vërejtje e bën hapur për studiuesit vendas që marrin punë të huaja dhe i paraqesin në doktoraturat e tyre…

Janë shumë interesante qasjet tuaja sa i përket artit figurative shqiptar. Si një nga pjesëtarët e saj, juve jo thjesht keni kontribuar me veprën tuaj, por keni dhënë edhe konsiderata të përgjithshme për të. Në këtë vazhdë, a vlerësoni ndonjë aspekt të Realizmit Socialist?

“Partia që në fillim i bashkoi shkrimtarët me artistët e arteve figurative. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend perëndimor. Kjo masë u mor që të kontrolloheshin ata më lehtësisht. Si për shembull, asnjë shkrimtar apo artist amerikan nuk ka qenë apo nuk është anëtar i Kongresit Amerikan. Picasso nuk ka asnjë titull apo dekoratë. Artisti i vërtetë është një predikator, as nuk mund të dekorohet e as të dënohet. Nga ana tjetër, asnjë skulptor perëndimor nuk ka punuar në grup.

Mbas letrës që Enver Hoxha u dërgoi tre skulptorëve Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri kjo metodë u përhap gjerësisht. Në fakt ajo mohon autorësinë. Dy poetë nuk mund të shkruajnë bashkë një poemë. Nuk ka ndodhur kurrë.

Dy piktorë nuk mund të punojmë mbi një tablo. Dy skulptorë nuk mund të kenë të njëjtin imazh. Skulptura është poezia e materies dhe detyrimisht është shprehje individuale. Por qëllimi ishte diabolik, duke i hequr poezinë skulpturës i mbetej vetëm materia që duhej formuar sipas urdhrave. Në fakt monumentet ishin skena të ngurtësuara që afroheshin më shumë me teatrin.

Skulptura u kthye në një libër historie me heronj, luftëtarë, heronj të punës dhe sigurisht në krye udhëheqësi për të cilin u bënë 6 skulptura. Në Evropë skulptura e personalizuar ish tejkaluar. Janë porosi të rralla nga shteti për figura të shquara, kurse skulptura e mirë- filltë u bë arti i lirë i pa angazhuar që trajtoi materien ndryshe siç ishte trajtuar deri në shekullin e XXtë. Po ashtu BUSTI në artin evropian është një kategori e tejkaluar, vetëm në raste të rralla, për persona të familjes si janë kokat e Dona Marr e Picassos apo Annette e Giacomettit”.

Ju e shpjegoni dështimin e këtij tipari të artit vetëm me mungesën e nudos femërore. A do të veçonit dhe elementë të tjerë?

“Gjatë tërë historisë së artit, që në primitivitet (Venera e Vilendorfit 30.000 p.K.), skulptorët kanëqenë të lidhur direkt më shumë se tërë artistët e tjerë me nudon femërore. Kurse arti i Realizmit Socialist e ndërpreu këtë. Për 45 vjet në tërë territorin e Shqipërisë nuk ka asnjë skulpturë nudo femërore. Në fakt kjo që dukej kaq e thjeshtë ish ajo që e rrënoi artin e Realizmit Socialist, si në Rusi edhe këtu. Këtë e analizoj imtësisht në libër”.

Keni përgatitur një botim që lidhet me grafikën e Realizmit Socialist. Çfarë shikoni të vlefshme për publikun e shekullit XXI në këtë art?

“E vlefshme është e gjitha sepse grafika, ajo lloj grafike sot nuk ekziston më. Mos di ti vallë ndonjë ilustrim si ato që bënte Safo Marko për përrallat? Ajo ish Grafikë e mirëfilltë se bëhej me dorë. Është gjë tjetër aspekti ideologjik, sot ato nuk na rrezikojnë. Duhen ruajtur, janë faza në artin e një populli që nuk përsëriten më. Duhen parë pa ngarkesën ideologjike. Po ndihmoj Anastas Kostandinin në përzgjedhjen dhe përgatitjen e një libri me vizatimet e tij. Disa herë i kam thënë Ksenofon Dilos për botimin e një libri të tij me grafika. Libri im GRAFIKA E REALIZMIT SOCIALIST NË SHQIPËRI, pati dhe vazhdon të ketë një sukses ndërkombëtar, mjafton të lexoni artikullin e Raino Eeto Isto në ART MARGINS, 2015. Mbas Skulpturës dua të botoj edhe një libër për Pikturën e Realizmit Socialit, që t’i bëj një trilogji”.

Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://www.gsh.al/2017/04/16/maks-velo-enver-hoxha-as-nuk-ia-kishte-idene-artit-modern-beri-shume-deme/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: