Një sezon për t’u harruar ishte ky i fundit për futbollistin shqiptar të Interit Rei Manaj. Sulmuesi në fillim të kampionatit u huazua te Pescara, por nuk vazhdoj gjatë me “delfinët” pasi nuk rezultoi zgjedhje e parë dhe shpejt u kthye tek “zikaltërit”.

Në pjesën e dytë të kampionatit sërish një huazim, por këtë herë në “Seria B” me Pizën ku jo vetëm nuk arriti të linte gjurmë, por edhe shfaqi probleme karakteriale që solli përçarje me trajnerin italian Genaro Gatusso.

Historia mbetet e njëjtë pasi Rei Manajt i duhen edhe një herë të gjejë një skuadër ku mund të shpalosë talentit e tij i cili nuk është i vogël. Agjenti i shqiptarit, Alberto Fontana, për mediat italiane është shprehur se ofertat janë të shumta dhe nga lojtari pëlqehet një aventurë jashtë Italisë.

“Manaj preferon të ikë jashtë Italisë dhe do të qëndrojë larg Interit. Ju konfirmoj hipotezën e transferimit drejt Portugalisë apo Gjermanisë, ku kërkohet nga Augsburgu”, tha ai dje për mediat italiane.

Por ndërsa kjo është dëshira e menaxherit, të vetmet bisedime që Interi ka bërë, janë me klube të Serisë B. Portalet e specializuara për merkaton në Itali kanë bërë të ditur se për futbollistin është interesuar fillimisht Foxhia, e së fundmi edhe Empoli.

Skuadra në të cilën aktivizohet edhe Frederik Veseli, ka rënë në Serinë B, ndërsa kërkon sulmues të rinj për të përballuar këtë kategori dhe synuar rikthimin e shpejtë në A. Trajneri Vivarini është një admirues i Manajt dhe do të ishte gati t’i jepte mundësinë shqiptarit të tregonte vlerat e tij në radhët e kësaj skuadre.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb