TIRANE– Ish ministri i drejtësisë, Ylli Manjani i është përgjigjur sërish kreut të ALUIZNI-t Artan Lame. Përmes një statusi në ‘Facebook’ Ylli Manjani thotë se Artan Lame është mësuar t’i bjerë samarit dhe jo gomarit.

Ndër të tjera ish ministri thotë se e moshuara në Berat që iu ankua Ramës për drejtorinë e ALUIZNI-t në Berat u bë mediatike, sepse u përdor si standard i degjenerimit të shtetit në publik. Manjani këshillon Lamen të kthehet tek shtetari, pasi sipas tij nuk mund të bëhet populist sepse nuk i shkon.

Statusi i Ylli Manjanit:

Një përgjigje për Lamen dhe jo vetëm.

Lame,

Je pak konfuz në arsyetim! Më lë të kuptoj se “ske çti bësh gomarit dhe i bie samarit”! Bjeri atij të shkreti gomar ndonjëhere, siç bëje dikur! Mos më nxirr arësye për këtë!

Nejse, fundja bjeri kujt të duash edhe samarëve që kanë vënë partitë (PS e para) në administratë! Ti e di që unë jam gjithmonë kundër samarëve që vetëm mbrojnë gomerët që i vënë se për tjetër punë nuk janë!

Por hallin e kam tek ajo “plaka mediatike”. Ti e di shumë mirë që zgjidhja e hallit të saj shkakton halle tek fqinjët e saj! Ndaj dhe samari (pra zyra e ALUIZNIT) kish hezituar të çelte një sherr ndërmjet fqinjësh! Kishte një letërkëmbim të gjatë kjo çështje. Kishte dhe letra të firmosura nga ti.. Pra plakën nuk e kishit lënë pa përgjigje. Por halli i saj mediatik bëri që ato letrat të shumëzoheshin me zero.

Plaka u be mediatike, sepse ajo u përdor si standart i degjenerimit të shtetit në publik. Udhëheqësi, që e paçi sa malet, e bëri atë plakë kavje mediatike për të parë se sa e mbajnë nervat nënpunësin ligjzbatues! Dhe në fakt nuk e mbajtën, duke treguar se sa e madhe është vrima e çorapit që ka krijuar partia-shtet në administratë.

Ti dhe unë ndajmë të njëjtën shkollë të shtetformimit dhe zgjidhja e hallit në media nuk është shtetformim por shtetdhunim!

Pa dyshim që ti je dakort me këtë.

Të kthehem tek rasti i zyrës, shkruan se i kishe “tërhequr vëmendjen zyrës”?!! Vemendja i tërhiqet drejtuesit more, jo ndërtesës e as kolektivit!!!

Pergjegjësia ligjore është individuale jo kolektive!!

Përgjegjësia quhet kolektive, kur zbulohet ndonje grup kriminal i strukturuar!!! E jo për të justifikuar drejtorin hajt ti biem zyrës!

Përgjegjësitë kolektive janë sindroma të këqia, ti më mirë se kushdo e di! Sa raste nga historia e komandatit ke rrefyer me përgjegjësi kolektive?!

Është e keqe kjo gjë o Lame! Shumë e keqe! Unë nuk të akuzoj ty si ndjekës i komandatit, por praktika që ke firmosur i shërben vetëm kultit të udhëheqësit, nga i cili ke ditur edhe të ndahesh.

Dhe më në fund, vrimat e çorapeve të administratës do mbyllen vetëm duke i hequr asaj çorapet politike dhe duke i veshur corapet e më të diturve, të mençurve, punëtorëve dhe shërbyesve të përgjegjshëm! Nësëe çorapet politike të derisotme do ti zëvendësoni me çorape të reja të që i sjell partia e vetme që qeveris, skeni mbyllur asnje vrimë, por keni krijuar një gropë! Hoqët tepsinë por krijuat govatën! Natyrisht nuk je ti autori i saj, por nuk dua që tē jesh kontribuesi!

Fillimi është i keq! Drejtorët e rinj që po emëroni (ende jo ti) janë supër politikë! Besnikë jo thjesht të partisë por të udhëheqësit!

E që të mos e zgjas më, këshilla ime për ty është të kthehesh tek shtetari! Nuk bëhesh populist ti! Nuk të shkon!

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: