TIRANE– Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha në selinë e PD, ku është diskutuar për listat e kandidatëve të PD për zgjedhjet e 25 qershorit. Takimi mes Agron Dukës dhe Lulzim Bashës vjen pas dy takimeve që Basha ka zhvilluar gjatë ditës së sotme me aleatin tjtër, kreun e PR, Fatmir Mediu.

Pas takimit, kreu i AAK-së, Agron Duka ka thënë se është arritur një marrëveshje dhe listat pritet t’i publikojë Lulzim Basha më vonë.

“Është arritur marrëveshje bashkë me zotin Ndoka, Dashamir Shehin, të gjitha partitë aleate. Nuk ka parti të regjistruara, mund të regjistrohet Fatmir Mediu teknikisht. Se di fare për listat e PD. Di që janë mbyllur listat tona dhe qëllimet janë përmbushur. Pas rreth 1 ore mendoj se do t’i publikojë Basha listat dhe do i’a dërgojë KQZ-së”- tha Duka.

Pavarësisht se ende nuk ka një konfirmim zyrtar, burime për ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se kreu i PD, Lulzim Basha ka arritur marrëveshje me 5 aleatët, kreun e PR Fatmir Mediu, kreun e PBDNJ Vangjel Dule, kreun e PDK Nard Ndoka, kreun e PAA Agron Duka si dhe kreun e LZHK Dashamir Shehi për listat për zgjedhjet e 25 qershorit.

Burimet jo zyrtare për ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Vangjel Dule do jenë në pozicione fituese. Kreu i PAA, Agron Duka do ketë 1 kandidat në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Tiranë, kurse Fatmir Mediu 2 kandidatë që do garojnë nën siglën e PD në qarkun e Tiranës. Ndërkohë kreu i PDK, Nard Ndoka do jetë i përfshirë në listën e Shkodrës, ndërsa Vangjel Dule pritet të ketë emrin e tij nën siglën e PD-së në qarkun e Vlorës. Një kandidat në listat e PD do ketë edhe kreu i LZHK, Dashamir Shehi në Tiranë.

Pas kësaj marrëveshje, PD pritet që të dorëzojë sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputetë. Afati për dorëzimin e tyre është sot në mesnatë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: