TIRANE- Publicisti Besnik Mustafaj ka komentuar marrëveshjen Rama-Basha të arritur dy ditë më parë për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, dhe përfshirjen në zgjedhjet parlamentare edhe të partive opozitare. Në rubrikën “Opinion” në studion e “News 24”, Mustafaj thotë se kjo marrëveshje është pozitive, pasi jo vetëm ka treguar se partitë politike në vend dinë të tregohen bashkëpunuese, por edhe ndikojnë në psikologjinë e qytetarëve të vendit.

“E mbështes marrëveshjen dhe e konsideroj politike, pasi dy forcat më të mëdha politike në vend treguan se dinë të arrijnë një marrëveshje në të mirë të vendit. Ka rëndësi të madhe edhe psikologjike mendoj, sepse kështu populli do të mund të shkojë në zgjedhje më i qetë. Kjo marrëveshje është e rëndësishme për kulturën politike”, tha Mustafaj.

Teksa komenton batutën e kryeministrit Rama pas arritjes së marrëveshjes, “Hymë me një McAllister dhe dolëm me një Big Mc”,publicisti Mustafaj thotë se kreu i PS nuk është nga ata që jep shumë.

“Unë nuk mendoj se Rama ka dhënë shumë në këtë marrëveshje, dhe nuk besoj se ai është shembulli i politikanit që jep shumë. Ai jep pak dhe jep me pikatore”, tha ai.

Duke u ndalur tek postet që mori PD me arritjen e marrëveshjes, Mustafaj thotë se është marrë më shumë nga sa i është dashur.

“Unë nuk besoj se i ka dhënë shumë, por mund të them se PD mori më tepër nga sa i duhej. Mori disa sektorë të ekonomisë si OSHEE, që nuk i duhen, dhe nuk i japin mundësi veprimi për aq kohë sa do të jetë kjo situatë. Prandaj them se PD mori edhe gjëra që nuk i duhen”, theksoi Besnik Mustafaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb