Nga: ALEKO MIHO-FERDINAND BEGO
Javën e kaluar u paraqit dhe diskutua në një dëgjesë publike projektvendimi ‘Për miratimin e rregullave, procedurave dhe kritereve për pajisjen me certifikatën e ekspertit për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM), ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor’. Disa nga ne dërguam me shkrim ose diskutuam në takimin e radhës për një kuptim ndryshe dhe për disa ndryshime në draftin e paraqitur. Duke parë se këto nuk janë paraqitur sa duhet në variantin e dërguar rishtazi nga Ministria, mendojmë të shprehemi sërish më gjerë dhe më hapur për publikun e gjerë.
Në ndryshim nga sa ishte shkruar nga hartuesit, ne mendojmë se ekspertiza mjedisore ka spektër shumë më të gjerë. Për më tepër, projektvendimi nuk është mbështetur as në ligjin e ri të Arsimit të Lartë (80/2015), lidhur me programet e studimeve të formimit të vazhduar dhe lëshimin e diplomave, përfshirë dhe ato të ekspertizës mjedisore. Madje, sipas kërkesave të BE-së, MMj nuk duhet të vazhdojë të licencojë ekspertë të veçantë për VNM, por duhet të krijojë aktet e duhura për të licencuar institucione (firma, studio apo kompani konsulence etj.) që merren me ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor. Këtu ne dëshirojmë të ndikojmë te bindjet e vendimmarrësve apo ekspertëve të tjerë të fushës, kjo për të mirën e përbashkët të vlerësimit dhe për një cilësi më të mirë në ekspertizën mjedisore.
Shkurt mbi cilësinë e ekspertizës mjedisore
Në draftin e përgatitur, e drejta për t’u pajisur me certifikatën e ekspertit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor është parë shumë ngushtë nga hartuesit e projektvendimit. Nuk duket shumë profesionale që kjo e drejtë t’u lihet vetëm ekspertëve të veçantë, dhe për më tepër vetëm ekspertëve të Departamentit të Inxhinierisë së Mjedisit, në Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe Departamentit të Agro-mjedisit dhe Ekologjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke lënë në harresë gjithë ekspertët që përgatiten në FShN, UT, apo dhe të Gjeologjisë, UPT, si dhe gjetkë. Deri sot janë parë në treg dokumente mjedisore të hartuara nga individë apo dhe grupime me aftësi profesionale të ngushta, të cunguara apo dhe të errëta. Në to më shumë vihen re qepje fjalësh apo termash marrë nga përvoja e huaj, e përshtatur dhe shqipëruar në mënyrë të rënduar, që edhe vetë hartuesit nuk i kuptojnë. Vështirë se të tilla dokumente mund të vlejnë dhe vihen në zbatim nga përdoruesit e ndryshëm mjedisorë, pra vështirë se i shërbejnë qëllimit për të cilin pala e interesuar ka paguar për to.
Ekspertiza mjedisore ndaj burimeve natyrore, biologjike etj., vështirë se mund të mbulohet vetëm nga ekspertë të diplomuar në fusha që lidhen me përdorimin (shfrytëzimin) e të mirave mjedisore, natyrore apo biologjike (inxhinieri pyjesh, agronomë, inxhinierë mjedisi etj.). Në rastin konkret, nuk mundet kurrsesi një ekspert me diplomë në një nga këto fusha të ketë aftësinë e duhur për vlerësimin apo ekspertizën mjedisore të ndërtimit të një dige mbi lumë, të një tuneli, të një ure, të një kompleksi industrial, të një HEC-i, të një antene celulari, të një linje tensioni, të një pusi nafte, të një fshati turistik, të një resorti apo zone tjetër urbane etj. Vetë përdoruesi i vlerave mjedisore nuk mundet gjithmonë të jetë edhe vetëvlerësues! Procesi kërkon ekspertizë të gjerë multi- dhe ndërdisiplinore, si gjeologji, hidrogjeologji, sizmologji, hidrologji, biologji, ekologji, kimi, fizikë, pylltari, peshkim, sociologji, arkeologji, shëndet, ekonomi etj. që nuk mund të gjendet vetëm në dy departamentet e përcaktuara nga ky draft. Kjo është e domosdoshme dhe duhet të përcaktohet rast pas rasti, sipas natyrës së projektit zhvillimor dhe ndikimeve të mundshme të tij në mjedis dhe shoqëri.
Ky projektvendim nuk duket se është në linjë dhe nuk përputhet dhe me kërkesat e legjislacionit të BE-së në fushën e mjedisit, dhe përkatësisht të VNM-së. Nuk ka asnjë detyrim dhe asnjë praktikë nga vendet e BE-së që rekomandon apo kërkon certifikimin e Ekspertëve për VNM. Në praktikën e vendeve evropiane, vetë zhvilluesi zgjedh një firmë, studio apo kompani konsulence mjedisore që ka ekspertizën e nevojshme për të bërë VNM, ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor.
Për vetë rëndësinë e këtij dokumenti që po përgatitet dhe pritet të miratohet, mund të organizohet edhe një konsultim më i gjerë, për të gjetur dhe përshtatur modelin më të mirë në kushtet e vendit tonë. Është e rëndësishme që në fund të këtij procesi të arrihet një produkt që do të mund të sigurojë liberalizim, konkurrencë dhe kontroll në treg. Këta janë mekanizmat kryesorë që luftojnë korrupsionin, shëndoshin tregun e ekspertëve të mjedisit, largojnë ‘super ekspertët e certifikuar të mjedisit’ që dinë ‘gjithçka’, rrisin cilësinë edhe të raporteve të VNM dhe VNMS. Vetëm në këtë mënyrë mundet që interesat e mjedisit dhe të shoqërisë të jenë të mbrojtura dhe të balancuara me ato të zhvillimit.
Ne mendojmë se edhe në Shqipëri duhet të ketë një mekanizëm oponence dhe kontrolli të cilësisë (Quality Assurance and Quality Control) së raporteve të VNM/VNMS, apo dhe të dokumenteve të tjera me rëndësi për mjedisin. Një mekanizëm i tillë ekziston në të gjitha vendet e BE-së dhe për fat të keq i mungon vendit tonë, ndaj dhe gjendja e mjedisit është aq mjerane. Është ky mekanizëm që duhet të përdoret për të gjitha raportet e VNM dhe VNMS, për aktivitetet e listuara në Shtojcat e Ligjit të VNM-së, të cilat kanë ndikim domethënës në mjedis, dhe për të cilat kërkohen Vlerësim i Thelluar Mjedisor dhe Leje Mjedisore e Tipit A dhe B. Është ky mekanizëm që do të detyrojë studiot/firmat e licencuara mjedisore që të përgatisin raporte sa më cilësore të VNM dhe VNMS, duke përfshirë për këtë ekspertët më të mirë në treg, dhe që përfaqësojnë mirë fushat e ndryshme të ekspertizës në mjedis. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet shëndoshja e tregut të ekspertëve dhe vendoset konkurrencë e ndershme dhe profesionale ndërmjet studiove/firmave dhe ekspertëve të mjedisit.
Përgatitja dhe kualifikimi i vazhduar i ekspertëve të mjedisit
Dukuritë mjedisore mjaft tronditëse të periudhës së tranzicionit ose edhe të trashëguara nga e kaluara, si urbanizimi i skajshëm në Ultësirën Bregdetare dhe gjithë Rivierën jonike deri në Ksamil, dëmtimi i pyjeve dhe përdorimi i keq i tokës e shoqëruar me erozion të madh, pushtimi i lumenjve me HEC-e dhe grabitja e tyre për inerte, ndotja me plehra urbane në çdo skaj etj., ndër të tjera janë dëshmi edhe e paaftësisë së ekspertëve qoftë vlerësues dhe zbatues. Këtu ka shumë rëndësi dhe diplomimi i duhur dhe politika e duhur në përzgjedhjen e stafit të ri në shumë nga institucionet që veprojnë sot në Shqipëri në fushat mjedisore. Projektvendimi i mësipërm nuk është mbështetur as në ligjin e ri të Arsimit të Lartë në Shqipëri (Ligji 80/2015, dt. 22.7.2015 “Për arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë).
Për ekspertët dhe ekspertizën mjedisore duhet të gjykohet më mirë, si nga MMj dhe nga institucionet e saj të varësisë, qendrore apo vendore, si dhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Lista e ekspertëve të mjedisit në Shqipëri në faqen e MMj është thuajse e varfër me ekspertët e duhur në shkencat natyrore që lidhen drejt për drejt me mjedisin. Në këtë listë nuk duket të ketë ekspertë të rinj të diplomuar në masterat tanë shkencorë në FShN, UT. Një cilësi të ngushtë sektoriale ekspertësh e shohim edhe në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, në ARM në Qarqe, si dhe institucionet e tjera të varësisë. Po kjo mund të thuhet edhe në grupet që ngrihen për hartimin e dokumenteve në lidhje me mjedisin. Për të krijuar një administratë të aftë dhe të përgjegjshme për sfidat zhvillimit sot, por edhe për të ngritur grupe pune si duhet, nevojitet bashkëpunim i ngushtë me universitetet dhe institutet kërkimore në vend, njohja me diplomat e reja, në përputhje kjo edhe kërkesat e tregut të punës sot.
Për sa i përket projektvendimit në fjalë, përgatitja e programit të trajnimit dhe kualifikimit për ekspertët e mjedisit nuk duhet të kufizohet vetëm në dy departamentet e parapëlqyera nga MMj, por duhet të jetë i hapur për të gjitha departamentet universitare që zhvillojnë disiplinën VNM në programet e tyre të Ciklit të Parë (Bachelor), të Dytë (Master) apo të Tretë (Doktoratë). Kurse ngritja e Qendrës për Edukim të Vazhduar kërkon një VKM të veçantë dhe pjesë e punës së kësaj Qendre të jetë edhe trajnimi dhe kualifikimi në fushën e VNM-së. Projektvendimi duhet të rishihet edhe një herë me kujdes në frymën e ligjit të ri të Arsimit të Lartë (80/2015), duke mbajtur parasysh nenet lidhur me programet e studimeve të formimit të vazhduar dhe lëshimin e diplomave, certifikatave dhe suplementit të diplomës, përfshirë dhe ato të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ekspertizës mjedisore dhe auditimit mjedisor.
Nga ana jonë mund të sigurojmë se të diplomuarit në masterat tanë shkencorë apo në doktoratë në FShN, UT, në Biologji, Kimi, Fizikë, mund të plotësojnë më së miri kërkesat për ekspertë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), për vlerësimin e gjendjes së mjedisit. Ata marrin njohuri sa duhet të jenë palë e zbatimit të Programit Kombëtar Vjetor të Monitorimit të Mjedisit, të bëjnë pjesë në stafin e ekspertëve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, dhe Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura, apo të Drejtorive Rajonale të Mjedisit, madje edhe të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, të Peshkimit dhe Akuakulturës, të Drejtorisë së Pyjeve, të Gjelbërimit Urban, Agjencisë Kombëtare të Turizmit etj. Vlen të theksojmë se ekspertë të tillë janë përgatitur në përputhje edhe me kërkesat që burojnë nga zbatimi i Direktivës 2004/35/KE të Parlamentit dhe Këshillit Evropian – Mbi përgjegjësinë mjedisore, parandalimin dhe riparimin e dëmeve mbi mjedisin.
Për të ndihmuar këtë proces më mirë, Ministria e Arsimit duhet të përgatisë dhe dërgojë për miratim aktet përkatëse për të përfshirë profesionet e biologut, kimistit, fizikanit, gjeologut etj. në listën e profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë, përfshirë këtu rregullat për Provimin përkatës të Shtetit dhe Edukimin Profesional në Vazhdim. Lista e profesioneve të rregulluara vetëm me mjekë, stomatologë, farmacistë, infermierë, mami, fizioterapistë, veterinerë, arkitektë, inxhinierë, nuk na duket e plotë për Shqipërinë. Mendojmë se këtu duhet të bëjnë më shumë dhe nxitin këtë proces edhe vetë institucionet tona në UT, ose dhe vetë studentët tanë të diplomuar nëpërmjet organizmave të tyre përfaqësues.
Analiza dhe argumentet e parashtruara në lidhje me këtë projektvendim kërkojnë që ky draft të rishihet në mënyrë thelbësore nga ana e Qeverisë dhe MMj. Nuk duhet të bëjmë as më shumë e as më pak sesa të përafrojmë kuadrin ligjor dhe përvojat më të mira të BE-së, dhe jo të ‘shpikim’ apo ‘mbajmë’ modele që vetëm mbjellin dhe ushqejnë klientelizëm, korrupsion, mungesë profesionalizmi, të cilat të gjitha së bashku e veç e veç u bëjnë dëm shumë të madh mjedisit dhe zhvillimit të vendit, duke rritur kostot mjedisore që brezat e sotëm dhe të ardhëm do të paguajnë.
* Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
(d.d/GSH/BalkanWeb)