TIRANE- Task-Forca e posacme për zgjedhjet diskutoi të mërkurën per listat e zgjedhësve, ku rezultoi se nuk konstatohen probleme. Sipas raportimit lista zgjedhore janë përditësuar me zgjedhësit që mbushin moshën për të votuar deri ditën e zgjedhjeve (përfshirë këtë ditë).

Nga Avokati i Popullit u ngrit shqetësimi për rreth 900 të dënuar që nuk kanë mundësi të votojnë për arsye se i kanë dokumentet e identifikimit nëpër komisariate apo prokurori, apo edhe për një pjesë të tyre që e kanë të pamundur pajisjen me karta identiteti pasi duke qenë se vuajnë dënimin nuk kanë të ardhura për të paguar tarifën për pajisjen me to. Për kategorinë e fundit të të dënuarve u diskutua që janë marrë masa për mbulimin e tarifës së aplikimit nga buxheti i shtetit, por raportim më i hollësishëm do të bëhet në mbledhjen e radhës.

Gjate mbledhjes Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme te Parandalimit të Pastrimit të Parave u ndal tek shqetësimi i vëzhguesve vendorë për tërheqjet e parave gjatë muajit maj 2017 nga bankat e nivelit të dytë, ku pas raportimit tha se se nuk vërehen tërheqje jashtë trendit të viteve të kaluara dhe se nga analizat e kryera nga kjo drejtori nuk ka arsye të besohet se ka përdorim parave të paligjshme në fushatë. Gjithsesi u la detyrë që situata të vazhdojë të monitorohet intensivisht duke pasur parasysh edhe afrimin e ditës së zgjedhjeve. Nëse do të ketë informacione të rëndësishme pritet raportim nga drejtoria në fjalë dhe referim i rasteve pranë organeve ligj zbatuese dhe prokurorisë.

Në relatimin e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil lidhur me shkeljet e nëpunësve civilë në fushën e zgjedhjeve, u tha se nga monitorimet e deritanishme rezulton se numri i mungesave pa arsye është rreth 100. Gjithsesi, secila nga këto raste mungesash po verifikohet me qëllim vlerësimin nëse edhe këta nëpunës civilë që kanë munguar pa arsye kanë lidhje me përfshirjen në fushatë apo mungesat pa arsye nuk kanë lidhje me zgjedhjet. Informacioni per kete është akoma në përpunim dhe nëse do të ketë raste shkeljesh do të referohen për ndjekje disiplinore apo ndjekje penale, nëse do të jetë rasti.

Drejtoresha e DAP-t raportoi se ka 14 raste shkeljesh që janë referuar për procedim disiplinor, të cilat janë në ndjekje e sipër. Njëkohësisht u raportua se janë pezulluar 24 nëpunës civilë për shkak kandidimi në zgjedhje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb