TIRANË- Tragjedia e ndodhur sot në Divjakë, ku u mbyt një vajzë 12-vjeçare është një tjetër kambane alarmi për sigurinë e plazheve në vend. Themi këtë pasi për t’ju ardhur në ndihmë dy kushërirave 12 dhe 11-vjeçe, njëra prej të cilave u nxor e vdekur në breg të detit, ka rrezikuar jetën një 15-vjeçar.

Sipas policisë, shtetasi A.M, 15 vjeç ishte i pari që hyri në det për të ndihmuar vajzat që i rrëmbeu dallga dhe rrezikoi seriozisht jetën. Ndonëse për t’i nxjerrë në breg, i erdhën në ndihmë edhe të tjerë pushues, 15-vjeçari hero arriti i pari tek to.

Pasi ka nxjerrë vajzat në breg, edhe djali është transportuar në spital pasi gjendja e tij shëndetësore nuk ishte mjaft e mirë. Burime policore thonë se djali kishte pirë shumë ujë gjatë momenteve që përpiqej të shpëtonte dy kushërirat.

Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 16:00, në plazhin e Divjakës, kur shtetasja G.A, 12 vjeçe, banuese në fshatin Krykuq, Divjakë, duke u larë në det bashkë me kushërirën e vet, shtetasen M.L, 11 vjeçe, banuese në fshatin Mizë, Divjakë, është marrë nga rryma. Ajo u nxor e vdekur në breg, kurse kushërira arriti të shpëtonte.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: