Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është takuar me artistë nga Shqipëria e Kosova që morën pjesë në Bienalen e Venecias, duke e përfaqësuar kombin në mënyrën më të mirë. Kumbaro vlerëson artistët si më të mirë dhe thotë se Shqipëria dhe Kosova kartëvizitën më të mirë kanë artin dhe kulturën.

“Më të mirët e Kosovës e të Shqipërisë që i japin asaj atë që politika tradicionale s’e bën dot. Petrit Halilaj nga Kosova merr Çmimin Special në Bienalen e Venecias.
Leonard Qylafi përfaqëson denjësisht Shqipërinë në pavijonin kombëtar në Bienale.
Sislej Xhafa tregon dhimbjen e Kujtesës me forcën e artit në Skenën ndërkombëtare me të madhe të Artit. Driant Zeneli me shokë mblodhën 250 artistë në Tiranë duke e kthyer Shqipërinë ne skenën e madhe të Mesdheut. Jam e bindur në rolin emancipues të artit e të kulturës në shoqëri siç nuk vë në dyshim shërbimin e jashtëzakonshëm që i bën kultura vendit në forcimin e pozicionit të vet në skenën ndërkombëtare.

Shqipëria dhe Kosova kartëvizitën më të mirë kanë artin dhe kulturën, kalorësit më të fortë kanë artistët, gratë e burrat e kulturës dhe lajmet më të mira i kanë prodhuar me art e kulturë”, thotë ministrja.

Sipas saj, politika në Shqipëri e në Kosovë ka shumë për të mësuar prej tyre, po të jetë e mençur edhe mund të përfitojë prej tyre, po të jetë largpamëse duhet t’i mbështesë ata, po të jetë e emancipuar duhet t’u kërkojë ndjesë se u ka borxhe me dekada.

“Sot, aty ku është dritëshkurtër politika rri në çadra, fshihet pas gishtit, punon kundër progresit, madje prodhon antikulturë. Për fat të mirë Kultura ecën para dhe na jep shpresë e dritë se do ndryshojë politikën dhe do emancipoje shoqërinë”, thekson Kumbaro.

(m.k/BalkanWeb) 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: