Në Rumani janë të sigurt se Azdren Llullaku do të kalojë te Steaua Bukureshtit dhe po  bëhet gati t’i japë lamtumirën Gaz Metan Medias në janar, por mund të mos largohet nga kampionati rumun i futbollit. Gazetat dhe portalet më të mëdha sportive rumune kanë raportuar sot se futbollisti shqiptar është një prej objektivave kryesorë të presidentit të klubit të Steauas së Bukureshtit, Xhixhi Bekali, i cili e konfirmoi një gjë të tillë.

Xhixhi Bekali ka planifikuar që të bëjë blerje të shumta për ekipin e tij. “Do të largohen 4-5 lojtarë por do të afrojmë 4 apo 5 të tillë gjithashtu”, tha Bekali për “Sport.ro”. “Edhe Llullaku është në listën tonë”, deklaroi ai. Ndërkaq, ”Gazeta Sporturilor” bën të qartë se të gjithë lojtarët të cilët ai kërkon me çdo kusht të afrojë në janar janë pjesë e Astra ose Gaz Metan. Sigurisht që një prej tyre është edhe Llullaku, i cili parashikohet të luajë si titullar jo vetëm në kampionatin rumun, por edhe në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb