Pak ditë më parë, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” deklaroi se zgjedhjet pa opozitën mund të konsiderohen legjitime.

Por nuk është i këtij mendimi, senatori amerikan, Mike Lee. Në një takim të zhvilluar në Washington me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Lee u shpreh se “ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Departamentin e Shtetit dhe do të këmbëngulim së bashku që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe një qeverisje që garanton besimin e qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira. Zgjedhjet pa opozitën do të jenë të papranueshme dhe një kthim prapa”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Partisë Republikane, referuar deklaratës së senatorit Lee në takimin me Mediun.

Kryetari i PR-së po zhvillon një vizitë në Washington për zgjedhjet dhe krizën në Shqipëri. Mediu ka zhvilluar takime në Senat dhe në Kongres ku i njohu zyrarët amerikanë me zhvillimet në Shqipëri.

Në ditën e parë të vizitës Mediu takoi Senatorin Mike Lee, të cilin e falenderoi për letrën qe 6 senatorët i dërguan sekretarit Tillerson për situatën e papranueshme në Shqipëri. Senatori Lee premtoi se ata do të ndjekin me vëmendje situatën në Shqipëri.

Ndërkaq Kongresmeni Steve King, i cili do të vizitojë Shqipërinë së shpejti theksoi se jo vetëm qe zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme, por besimi i qytetarëve në to përbën themelin e demokracisë.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: