Jeta dhe karriera e ish0futbollistit të talentuar të Dinamos dhe Kombëtares Shqiptare, Mehdi Bushati rrëfehet në një libër biografik që mban titullin “Një jetë me Sportin”.

Në një aktivitet të ngrohtë, organizuar sot në ambientet e Akademisë së Shkencave, promovimi i librit mblodhi bashkë ish sportistë të talentuar, profesorë të nderuar, personazhe të njohur të jetës publike, të cilët ndanë kujtimet e tyre dhe vlerësuan arritjet e Bushatit si sportist dhe drejtues (Mehdi Bushati njëkohësisht autor dhe personazh në libër).

Ish-futbollisti i talentuar i Dinamos dhe Kombëtares Shqiptare, Mehdi Bushati gjatë fjalës së mbajtur në kuadër të promovimit të librit të tij ndau emocionet e tij me të pranishmit.

“Faleminderit të gjithë personalitetet e sportit të pranishëm sot. Unë jam një prej atyre që jam borxhli sportit sepse më ka dhënë më tepër seç kam dhenë unë për të”.

Nga ana e tij, zëvëndësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj vuri në dukje se ky libër është një produkt i vyer për fushën sportive.

“Mehdi Bushati ka hyrë në historinë e futbollit dhe ndikoi në rritjen e cilësisë së tij”, përfundoi ai.

Ky libër vjen si dëshmi e një kohe të artë të sportit shqiptar, kaq kaq shumë i nevojshëm për tu dëgjuar dhe lexuar për ditët e sotme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: